Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier - Foto: Twitter
Presidenti gjerman kërkon tribunal për krime lufte për Putinin dhe Lavrovin
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha se duhet të krijohet një tribunal për krime të luftës kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe kryediplomatit rus, Sergei Lavrov, teksa dëshmi të reja po dalin për mizoritë që pretendohet se janë kryer nga forcat ruse në Ukrainë.
Në një intervistë për revistën gjermane, Der Spiegel, të publikuar më 8 prill, Steinmeier tha se “kushdo që është përgjegjës për këto krime, duhet të japë shpjegime”.
“Kjo përfshin edhe ushtarët, komandantët e ushtrisë dhe natyrisht ata që kanë përgjegjësi politike”, tha ai.
Shumica e fokusit është përqendruar në krimet e pretenduara të luftës të kryera në Buça, qytet në afërsi të Kievit. Forcat ruse janë tërhequr nga qyteti më 1 prill dhe më pas janë publikuar pamje të civilëve të vrarë, disa prej të cilëve me duar të lidhura pas shpine, të shtrirë në rrugët e këtij qyteti. Banorët e Buças kanë thënë se kanë qenë dëshmitarë të vrasjeve brutale dhe torturave dhe po ashtu janë publikuar të dhëna për varreza masive.