Foto: RTV 21

Lajçak: Pala serbe në dialog Asociacionin e konsideron si pikën më të rëndësishme

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është marrëveshje politike që është ratifikuar në Parlamentin e Kosovës, prandaj, sipas tij, nuk është marrëveshje teknike, por është politike.

Lajçak ka thënë se pala serbe në dialog e konsideron këtë si pikën më të rëndësishme.

“Për mua, është çështje e parimeve të ligjeve ndërkombëtare, pra pacta sunt servanda e që do të thotë që marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen.  Prandaj, Asociacioni është marrëveshje politike që është ratifikuar në Parlamentin tuaj, prandaj, nuk është marrëveshje teknike, por është politike, dhe e dini shumë mirë që pala serbe në dialog e konsideron këtë si pikën më të rëndësishme”, ka thënë Lajçak.

Sipas Lajçak, kjo nuk është marrëveshja kryesore.

Ai në një intervistë për “Kallxo Përnime” bëri me dije se është në interesin e të dy palëve, që të mos ikin nga ky zotim por të fillojnë të flasin se si do ta adresojnë.

“Jo, nuk është marrëveshja kryesore, ka shumë marrëveshje që duhet të zbatohen, sepse siç e thashë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në të kaluarën duhet të zbatohen. Radha e çështjeve duhet të dakordohet në mes të të dy palëve, por natyrisht që kjo çështje prezantohet rregullisht nga Serbia, mirëpo unë mendoj që është në interesin e të dy palëve, pra edhe të Serbisë edhe të Kosovës, që të mos ikim nga ky zotim por të fillojmë të flasim se si do ta adresojmë”, tha Lajçak.

Lajçak bëri me dije se është duke e përcjellë për së afërmi diskursin publik në Kosovë dhe tha se nuk duhet të ketë frikë nga diçka që nuk është “armiku juaj”.

“Unë po e përcjell për së afërmi diskursin publik në Kosovë, Nuk mendoj që ekziston ndonjë person tjetër, ndoshta pos ambasadorit Szunyog që e përcjellin kaq afër situatën në Kosovë. Prandaj, unë e di cili është diskursi publik, por duhet thënë që është koha të ndryshohet narrativa dhe nuk duhet të kemi frikë nga diçka që nuk është armiku juaj, por duhet ta shohim si një mundësi”, u shpreh ai.

Ndërkaq, pas arritjes së udhërrefyesit për zbatimin e marrveshjeve për energjinë, drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kishte thënë për televizionin serb RTS se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë rundit të fundit të bisedimeve në Bruksel kishte thënë se Kosova është e gatshme të flasë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi të arrihet marrëveshja për energji dhe sipas tij është hapur rruga “për formimin e Asociacionit”.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në emisionin Debat Plus, garantoi që në momentin kur ndryshon qëndrimi i Qeverisë për Asociacionin ai nuk do të jetë më në dialog.

“Në atë moment kur Qeveria e Kosovës e ndryshon qëndrimin për Asociacionin dhe thotë se do të krijohet asociacion qoftë edhe me kompetenca joekzekutive Besnik Bislimi nuk është më në dialog, ndoshta dikush tjetër vjen e bën”, kishte thënë Bislimi.