Kuvendi pritet të zgjedh drejtorin e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit

Përmes votimit të fshehtë, deputetët e Kuvendit të Kosovës po votojnë për zgjedhjen e drejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.

Fillimisht është krijuar komisioni votues i përbërë nga një përfaqësues i subjekteve politike të pranishme në seancë.

Kuvendi ka dy kandidatë për drejtor për këtë pozitë të rekomanduar nga Komisoni për Ekonomi: Hajrije Morina dhe Lulzim Rexhepaj.

Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar që të propozojë anëtarin për komisionin votues.

Po ashtu, deputeti Abelard Tahiri tha se nuk do të marrin pjesë as në votimin e drejtorit.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka kritikuar që ky drejtor të zgjidhet në mënyrë të fshehtë pasi sipas tij kjo përbënë shkelje kushtetuese.

“Po kërkojë interpretim si kryesues i Kuvendit, cila është logjika me votu në mënyrë të fshehtë ku shkarkimi bëhet i hapur si të rasti i RTK-së, cila është logjika që dikush me u zgjedh në mënyrë të fshehtë, keni këshillë juridikë, do të mbani përgjegjësi kushdo që ka bërë shkelje proceduriale, sepse ju kemi paralajmëruar. Është shkelje të drejtave të njeriut, e procedurave, e kushtetueses. Po du me besu që dikush ju ka keq orientu qëllimisht”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca u kundërpërgjigj duke thënë se gjithmonë ka shkuar në këtë procedurë.

“Prej përvoje në këtë Kuvend kjo procedurë ka ndodhë gjithmonë kështu, nëse herëve të tjera kanë qenë mirë, atëherë mirë është edhe kësaj radhe. Nëse po mendoni që nuk është mirë dhe nuk e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, atëherë mund ta dërgoni për herë të parë”, tha Konjufca.

Deputetët janë duke vazhduar të votojnë në mënyrë të fshehtë. Kjo është edhe pika e fundit e rendit të ditës.

Kuvendi sot shkarkoi edhe Bordin e RTK-së.