Foto: ZKM

Kurti: Vendimi i Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës - hap i rëndësishëm për Kosovën

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur hap të rëndësishëm për Kosovën vendimin e Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për të rekomanduar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Kurti ka thënë se ky opinion konfirmon përmbushjen e të gjitha parakushteve të anëtarësimit nga Kosova.

Ndërsa ka njoftuar se i njëjti do të hidhet në votim në muajin prill.

“Sot Komisioni për politikë dhe demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ka bërë një hap të rëndësishëm përpara për Kosovën. Opinioni konfirmon përmbushjen e të gjitha parakushteve të anëtarësimit nga ana e Kosovës dhe rekomandon t’i bëhet ftesë Kosovës që t’i bashkohet Këshillit të Europës si shtet anëtar. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të votojë opinionin në prill”- ka shkruar Kurti.

 

Në mbledhjen e mbajtur nga Komiteti i Çështjeve Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Paris më 27.03.2024 është rekomanduar që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës.

“Hapi tjetër: një debat plenar – që pritet më 18 prill – dhe një votim nga Kuvendi i plotë mbi Opinionin e tij statutor”- ka njoftuar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në rrjetin social “X”.

Anëtarët e delegacionit të Kosovës në Këshill të Europës kanë njoftuar që është votuar në favor të Kosovës raport- opinioni i raportueses Dora Bakoyannis në mbledhjen e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, me 31 vota për dhe 4 kundër.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12.05.2022.

Në prill të vitit 2023, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Këshilli i Europës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.