Kurti takon udhëheqës të kompanive gjermane, flet për mundësinë e investimeve në Kosovë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Gjermani, më 31.03.2025, është takuar me drejtorin ekzekutiv të Bosch Rexroth, Steffen Haack.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, temë kryesore e këtij takimi ishte mundësia e investimeve në Kosovë.

Siç njoftohet, gjatë takimit u diskutua mundësia e bashkëpunimit në fushën e kërkimit, hulumtimit dhe zhvillimit në sektorët e automatizimit dhe teknologjisë industriale.

“Kryeministri theksoi gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të mbështetur iniciativat e kompanive gjermane në themelimin e qendrave të inovacionit dhe trajnimit profesional në vend, në bashkëpunim me universitetet”- thuhet në njoftim.

Kurti e ka ftuar drejtorin ekzekutiv të Bosch Rexroth që ta vizitojë vendin tonë për të njohur më gjerësisht potencialin për investime që ofron Kosova dhe zhvillimin që ka njohur vendi ynë.

Bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ai po merr pjesë në panairin ndërkombëtar të industrisë dhe teknologjisë “Hannover Messe 2025”.

Kosova në pritje të krijimit të institucioneve të reja, Kurti udhëton për në Gjermani për të marrë pjesë në panairin e teknologjisë