Foto:ZKM

Kurti takoi kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq

​Qëndrimin në Athinë sot për të marrë pjesë në darkën e shtruar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Kosovës e ka filluar me një takim me homologun e tij nga Kroacia, Andrej Plenkoviq.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, në takim ata folën për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë dhe potencialin që dy vendet kanë për thellim e konkretizim të mëtejmë të tyre.

“Kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin Plenkoviq për progresin dhe arritjet e vendit në rrafshin ekonomik dhe demokratik, me theks qeverisjen dy vjeçare. Ai e uroi homologun e tij dhe Kroacinë që së fundmi u bë anëtarja e 20-të e Eurozonës dhe anëtarja e 27-të e zonës Schengen, teksa e cilësoi këtë si një arritje të madhe të Kroacisë dhe Kroacinë si një model për t’u ndjekur”- thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatë bëhet e ditur se të dy kryeministrat ndanë këndvështrimet e tyre mbi zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe sfidat me të cilat ballafaqohet rajoni, duke mbetur të përkushtuar për bashkëpunim të afërt, në shërbim të interesave të përbashkëta dhe në linjë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

“Folën edhe për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ku Kryeministri theksoi nevojën për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër”- thuhet tutje në komunikatë.

Sot, Kurti, ka udhëtuar për në Athinë me ftesë të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.

Sipas ZKM-së, Kurti do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga kryeministri Mitsotakis për liderët e Ballkanit Perëndimor, e cila po mbahet në 20-vjetorin e Samitit të Selanikut.

Kryeministri Kurti udhëton për në Athinë