Kurti: Sa më shpejt që largohemi nga qymyri, aq më mirë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti ka thelluar qëndrimet e tij kundër përdorimit të qymyrit në Kosovë.

Kurti në një intervistë për “Jeta në Kosovë”, tha se është i vetëdijshëm për dëmet ambientale të përdorimit të kësaj lënde për prodhimin e energjisë, mirëpo tha se duhet shikuar mundësitë ekonomike për alternativa.

“Aktualisht, qymyri është e keqja e domosdoshme nga e cila duhet të lirohemi, sa më shpejt aq më mirë. Mirëpo, duhet ta shohim edhe sa mund ta përballojmë një gjë të tillë, sepse në Europë po fitojnë partitë që e konsiderojnë krizë e jo veç ndryshim klimatik”, tha Kurti.

Ai gjithashtu pranoi se po edukohet në vazhdimësi në lidhje me këtë temë.

“Më duhet ta pranoj që edhe unë dhe Lëvizja Vetëvendosje jemi duke u edukuar dhe emancipuar me këtë gjë sepse ka një lloj rritje enorme të literaturës për këtë çështje dhe ne jemi relativisht prapa”, tha Kurti.

Rreth dy muaj më parë, në kohën e fushatës parazgjedhore, i pari i Lëvizjes Vetëvendosje ishte shprehur pesimist për mundësinë e largimit nga përdorimi i qymyrit.

“Do të dëshironim por s’është e mundshme që të eliminohet linjiti edhe për një periudhë”, tha ai në Debatpernime.

Ai gjithashtu ishte zotuar se do ta ndërprejë kontratën për ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr me kompaninë “Contour Global”.

“Problemi është i kontratës e cila po të bëhej në mes të dy ushtrive, do të thoshin që njëra prej ushtrive ka kapitulluar. Në këtë rast është qeveria e Kosovë… dëshirojnë që na ta marrim rrezikun e at fitimin”, kishte thënë Kurti.

Nënshkrimi i marrëveshjes 1.3 miliardë euro mes Qeverisë së Kosovës dhe Joseph Brandt, drejtorit ekzekutiv të kompanisë amerikane ‘Countur Global’ për ndërtimin e TC “Kosova e Re” është bërë me 20 dhjetor 2017.

Në tetor të vitit 2018, Banka Botërore ishte tërhequr nga financimi i termocentralit, duke e quajtur marrëveshjen “ekonomikisht të pafavorshme”.

Në linkun e mëposhtëm gjeni deklaratën e plotë të Albin Kurtit lidhur me këtë çështje: