Kurti për vërshimet në Dragash: Në këtë fatkeqësi kemi pasur fat që nuk ka vdekur askush

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke qëndruar në Komunën e Dragashit, një ditë pasi disa fshatra të kësaj komune u përballen me vërshime si pasojë e reshjeve të shumta të shiut.

Nga aty ai është shprehur se në këtë fatkeqësi natyrore kemi pasur fat që nuk ka vdekur askush.

Kurti tha se është fat i mirë që asnjë prej banorëve të shtëpive që janë prekur nga vërshimet nuk kanë qëlluar në bodrume të shtëpive, përndryshe sipas tij po të kishin qëlluar në bodrume të shtëpive, do të kishin vdekur, meqenëse uji i kishte vërshuar bodrumet e banorëve nëpër shtëpitë e fshatit Kuk.

Kryeministri tha se me komisionin vlerësues duhet të shohin se sa mund të ndihmojnë, çka të riparojnë e të rindërtojnë, pasi sipas tij dëmet janë të mëdha dhe nuk janë të korrigjueshme menjëherë e përnjëherë.

“Ka dëme në infrastrukturë edhe atë jo vetëm në rrugë e në ura por edhe në gypat e ujësjellësit dhe kanalizimit si dhe në gypat e Telekomit të Kosovës” – tha i pari i Qeverisë së Kosovës.

Bashkë me Kurtin në vizitën e tij në Kuk ishte edhe kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin dhe përfaqësues nga Agjencia për Menaxhimin Emergjent.

Kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini tha se nga ana kryeministrit kërkoi “ndihmë urgjente”.

Sipas kryetarit nuk duhet të pritet vendimi i komisionit për riparimin e rrugëve, sepse sipas tij rrugët nuk presin.

“Vlerësimi i komisionit për dëmet në ekonomi familjare presin, sepse familjet i riparojnë krejt ato dëme, pastaj kompensohen” – tha kryetari.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se situata e përgjithshme hidrometeorologjike ditëve të fundit është jo-stabile.

Kjo sipas IHMK-së po ndodhë si pasojë e reshjeve të shiut të përcjella me stuhi lokale me breshër dhe erëra të forta, duke shkaktuar edhe vërshime.

“Të nderuar, situata e përgjithshme Hidrometeorologjike ditëve të fundit është jo stabile, si pasojë e reshjeve të shiut të përcjellura me stuhi lokale me breshër dhe erëra të forta, duke shkaktuar edhe vërshime të shpejta sidomos të disa rrjedhave ujore me karakter malorë (rrëket, përrocakt, etj.)”- thuhet në njoftim.

IHMK-ja paralajmëron se sot dhe gjatë dy ditëve në vijim pritet të ketë reshje shiu vende -vende me intensitet më të lartë.

“Situata e përgjithshme hidrometeorologjike në vend akoma nuk është stabile, ngase edhe sot dhe gjatë dy ditëve në vijim pritet të ketë reshje shiu vende vende me intensitet më të lartë, të cilat mund të paraqesin potencial për bllokim të sistemeve të kanalizimeve, mbyllje të pusetave, shembje të dheut dhe drunjëve, shkarkime rrufesh etj”- theksohet në komunikatë.

Reshje të mëdha të shiut ka pasur edhe më 24.06.2024, në Prishtinë dhe qytete tjera në Kosovë.

Madje, në disa vende, si në Obiliq e Fushë Kosovë pati edhe breshër.

Vërshimet në Dragash, Kurti sheh nga afër dëmet në fshatin Kuk