Foto: ZKM

Kurti për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës: Nuk spekuloj për spekulimet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka komentuar deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Europian të cilët kanë thënë se afati i dorëzimit të raportit rreth masave të vendosura ndaj Kosovës, dhe përmbajtja e këtij raporti janë çështje ndërinstitucionale e BE-së, dhe se, rreth tyre nuk mund të spekulojnë akterët jashtë bllokut europian.

Lidhur me këtë çështje, Kurti ka thënë se nuk dëshiron të spekuloj.

“Nuk mendoj se duhet të spekuloj për spekulimet”- është shprehur Kurti.

Qëndrimin e BE-së lidhur me këtë çështje e ka shprehur të hënën zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, duke u përgjigjur në pyetjet se kur mund të pritet dorëzimi i raportit të Borrellit dhe çfarë pritet të jetë përmbajtja e tij.

BE thotë se “nuk duhet spekuluar” rreth raportit të Borrellit për masat ndaj Kosovës

“Para së gjithash, raporti i Përfaqësuesit të Lartë ishte kërkuar nga Këshilli. Pra, shtetet anëtare kanë kërkuar nga Përfaqësuesi i Lartë t’ua dërgojë atë raport dhe ai do t’ua dërgojë raportin vendeve anëtare. Këto vende anëtare do të jenë të parat që do të dinë se çfarë përmban raporti. Kjo akoma nuk ka ndodhur”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.

Sipas Stanos, raporti ka të bëjë me dinamikat e institucioneve të BE-së, dhe ka thënë se askush jashtë BE-së nuk duhet të spekulojë rreth përmbajtjes dhe afateve.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi është pyetur për të komentuar një qëndrim të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, i cili ditë më parë ka thënë se ka “informata se Borrell ka përgatitur raportin e tij dhe se ai ka propozuar heqjen e masave ndaj Kosovës”.

“Vendet anëtare do të jenë të parat që do ta dinë përmbajtjen, do të diskutohet, dhe më pas të merren vendimet e nevojshme”, ka thënë Stano, duke paralajmëruar që për dorëzim të raportit do të njoftohen edhe autoritetet e Kosovës.

“Ne nuk shohim nevojë të spekulohet nga ana e akterëve të ndryshëm”.

Ka kaluar më shumë se një vit që Bashkimi Evropian ka vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, pas përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.

BE-ja pati vlerësuar që Kosova nuk ka marrë hapa të mjaftueshëm për të shmangur konfliktin.