Kurti: Nuk pritet që Qeveria e Kosovës të bëjë subvencionimin e rrymës në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk pritet që Qeveria e Kosovës të bëjë subvencionimin për rrymën e konsumuar në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se qasja destruktive e Serbisë është fajtori për moszbatimin e deritanishëm të udhërrëfyesit.

“Nuk mund te pritet që Qeveria e Kosovës të bëjë subvencionimin për energjinë konsumuar në veri të papaguar atje. Brukseli e ka evidentuar që qasja destruktive e Serbisë është faktori e fajtori për moszbatimin e deritanishëm të udhërrëfyesit ashtu siç ishin paraparë oraret. Ne presim reagimin e Brukselit, nuk mund të vazhdojmë me mënyrat e vjetra, ne jemi konstruktiv e të përkushtuar”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se Serbia është në anën e kundërt të sjelljes së Kosovës dhe nuk po i përgjigjen pozitivisht takimeve.

“Ne jemi konstruktiv dhe të përkushtuar por Beogradi është në anën e kundër të sjellës tonë. Ka pasur që këtë javë të ndodhë një takim mes meje dhe presidentit serb në Bruksel, por ata kanë kërkuar që të shtyhet kjo gjë. Janë ata që nuk po i përgjigjen pozitivisht takimeve. Çdo pretekst që po e përdorin nuk është i vërtetë”, ka thënë ai.

Kompania serbe, Elektrosever, nuk i ka dorëzuar të dhënat e fundit për konsumatorët në Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë – KEDS dhe te Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë – KOSTT.

Elektrosever, gjithashtu, nuk i ka nënshkruar ende marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in, për të operuar në tregun e Kosovës për energji.

Këto obligime dalin nga Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2013 për Energjinë, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord më 21 qershor i këtij viti.