Foto: ZKM

Kurti merr pjesë në organizimin me rastin e 106-vjetorit të Pavarësisë së Finlandës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar me rastin e 106-vjetorit të Pavarësisë së Finlandës.

Kurti ka theksuar se Finlanda është një vend model për Kosovën pasi, sipas tij, ajo ilustron shumë nga vlerat dhe aspiratat kyçe.

Sipas njoftimit, ai ka kujtuar partneritetin e rolin e Finlandës gjatë viteve dhe ndihmën e drejtpërdrejtë ndaj Kosovës, përfshirë mbështetjen për liberalizimin e vizave.

‘’Agjencia Finlandeze e Zhvillimit Ndërkombëtar ka qenë e rëndësishme në mbështetjen e projekteve jetike në edukimin për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, kujdesin shëndetësor dhe më shumë.”- ka shtuar Kurti.

“Miqtë më të mirë nuk janë vetëm shoqërues në gëzim, por mentorë në të mësuar”- ka thënë Kurti duke shtuar se Kosova është ambicioze dhe e përkushtuar që t’i pasqyrojë këto vlera të progresit social, sigurisë, inovacionit dhe t’u bashkohet institucioneve euroatlantike dhe europiane.

Kurti tutje ka thënë se Kosova pret me padurim mundësitë e shumta të bashkëpunimit që kemi përpara.