Kurti kujton protestën studentore: Nderim për secilin që nuk qëndroi duarkryq kundrejt shtypjes, padrejtësisë e okupimit serb

Kryeministri i Kosovës. Albin Kurti, sot ka kujtuar protestën studentore të 1 tetorit 1997, në ballë të së cilës ishte edhe ai vetë.

Kurti tha se para 26 viteve kumboi zëri i drejtësisë, si revoltë ndaj shtypjes dhe dhunës, e tha se protesta e 1 Tetorit theu një heshtje dhe frikë të gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej guximi e dinjiteti.

“E përkujtuam këtë datë të rëndësishme duke bërë homazhe tek varri i profesor Ejup Statovcit, bashkë me ish-studentë e pjesëmarrës në marshimin për liri” – tha Kurti.

Ai shtoi se profesor Statovci ishte udhëheqës e prijës bashkë me studentët dhe organizatën e tyre gjithëpërfshirëse, Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës – UPSUP.

“Studentët, nuk ishin vetëm. Vepra e kontributi i tij i jashtëzakonshëm na frymëzoi të gjithëve. Universiteti i Prishtinës u ringjall ndonëse nën okupim dhe u bë institucioni i cili udhëheqte me rezistencën e atëhershme” – tha kryeministri.

Tutje i pari i Qeverisë tha se sot përkujtojmë dhe ish-rektorin Zenel Kelmendi, i cili ndërroi jetë në gushtin e këtij viti.

“Ai ishte një udhëheqës i vendosur i Universitetit në vitet e para pas luftës, duke pasuar si rektor punën e profesor Statovcit dhe fuqizuar themelet e Universitetit të Prishtinës” – tha shefi i ekzekutivit.

Ai shtoi se me 1 tetor 1997, studentët shprehën vullnetin e dëshirën për liri, e se ai së bashku me të tjerët marshuan paqësisht, për lirimin e hapësirave të ndaluara të kampusit universitar, drejt rrugës për arsim e edukim të lirë, të drejta të patjetërsueshme, liri e pavarësi.

Kurti shprehu nderim e përulëje për secilin që ka kontribuar, që guxoi e nuk qëndroi duarkryq kundrejt shtypjes, padrejtësisë e okupimit serb.