Kurti flet për reduktimet e rrymës

Kryeministri Albin Kurti ka dhënë disa arsye të cilat sipas tij kanë çuar në reduktimet e mëdha të energjisë elektrike më të cilat po përballet Kosova ditëve të fundit.

Kurti tha që vjetërsia e termocentraleve dhe çmimet e larta në bursë kanë bërë që Kosova të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

“Termocentrali Kosova A i ka 3 njësi të cilat janë 60 vite të vjetra. Termocentrali Kosova B i ka dy njësi që janë 40 vjet të vjetra dhe riparimet e nevojshme, prishjet e paparashikueshme po e zvogëlojnë gjenerimin, po na rrisin importin dhe kësisoj po na shtojnë reduktimet” – tha shefi i Qeverisë.

Kreu i ekzekutivit u shpreh i bindur që Qeveria e udhëhequr nga ai do t’ia dalë me krizën energjetike që e ka kapluar vendin.

“Ka qenë e paimagjinueshme në vitin e kaluar kjo situatë. Sivjet, tash ende pa ardhur dimri ka pasur raste kur 1 megavat orë ka shkuar deri në 1,000 euro në bursën ndërkombëtare energjetike. Situata është shumë e rëndë në të gjithë kontinentin evropian, mirëpo ne bëjmë më të mirën e mundshme dhe janë i bindur që do t’ia dalim” – theksoi ai.

Tash e disa ditë në Kosovë kanë filluar të aplikohen reduktimet e energjisë elektrike. Kjo për shkak të disa prishjeve që kanë ndodhur në disa nga blloqet e termocentraleve që prodhojnë rrymë në Kosovë.