Kurti: Duke kujtuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, po e zhvillojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar dëshmorët Gazmend e Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj, në 26 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit.

Kurti ka thënë se bashkë me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja dëshmoi vendosmërinë e popullit tonë për çlirim.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se kushtrimi i lirisë dhe lufta çlirimtare në Dukagjin nisi më 24 mars 1998.

“Qëndresa në Gllogjan i dha Serbisë mesazhin e fuqishëm se kulla nuk gjunjëzohet, se Kosova nuk nënshtrohet. Sot kujtojmë dëshmorët e Epopesë së Dukagjinit, Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj dhe Agron Mehmetaj. Sakrificën e tyre e nderojmë ҫdo ditë me respektin më të lartë” – ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Ai ka thënë se duke kujtuar UÇK-në, po zhvillohet Forca e Sigurisë së Kosovës.

“26 vite më vonë, ushtrinë e shtetit e kemi më të fuqishme e më të pajisur, më të përgatitur e më të madhe se asnjëherë më parë. Krahas rritjes së buxhetit, shtimit të investimeve në armatim, sivjet ushtrisë sonë do t’i bashkohen edhe 600 rekrutë të rinj. Ideali i dëshmorëve, përparimi i vendit dhe liria e popullit u jetësua dhe po jetohet për çdo ditë” – ka shkruar Kurti.