Kryetari Rama ndau çmimin 'Helmeta Ilire' për ish-gjeneralin britanik

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama sot më 13.06.2024, një ditë pas përvjetorit të çlirimit të Kosovës ka pritur në takim ish-gjeneralin e Mbretërisë së Bashkuar, Jeremy Rowan, së bashku me disa veteranë që ishin pjesë e trupave të NATO-së gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari Rama dekoroi më çmimin “Helmeta Ilire” ish-gjeneralin Rowan në shenjë falënderimi për kontributin e tij dhe pjesëtarëve tjerë britanik gjatë luftës në Kosovë.

Madje, Rama u shpreh se është i nderuar që ka takuar batalionin britanez duke e vlerësuar lartë punën e tyre gjatë luftës, duke përmendur faktin së këta ishin të parët që kanë hy në Kosovë për çlirimin e vendit tonë.

“Kam nderin që sot kam batalionin britanez këtu që kanë ardh me na nderu për festen e 25 vjetorit të lirisë. Janë njerëz këta që kanë hy të parët në Kosovë që kanë ndihmuar dhe kanë dhënë kontributin më të madh të mundur për lirinë tonë që sot e gëzojmë” – deklaroi Rama.

Më pranimin e çmimit “Helmeta Ilire”, ish-gjenerali Rowan u shpreh së është falënderues për këtë dhe gjithashtu përmendi ndryshimet që ka parë tani në Kosovë e që ndihet mirë për këto.

“Është shumë mirë të jem këtu, Prishtina ka një rëndësi te ne. 20 nga shokët e mi kanë qenë në vitin 1999. Qyteti tash është i gjallë, urime juve dhe faleminderit” – tha ish-gjenerali Jeremy Rowan.

Në këtë takim gjithashtu edhe disa ish-ushtarë britanez, shprehën përshtypjet e tyre për Kosovën pas 25 viteve liri duke vlerësuar për punën dhe zhvillimin që ka bërë Kosova për këto vite dhe duke treguar për lidhjen e tyre të veçantë më Kosovën.

Më 12.06.2024 është shënuar 25-vjetori i çlirimit të Kosovës.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson.

Gjithashtu me 10.06.2024 është hapur ekspozita “Reporting House” e prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, që prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.