Kryeministri Rama i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama, iu nënshtrua gjatë natës një ndërhyrjeje kirurgjikale në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, pasi nga ekzaminimet e nevojshme dhe ato imazherike, mjekët konstatuan se ai kishte një apendisit akut.

Ekipi që realizoi ndërhyrjen, i kryesuar nga shefi i Shërbimit të Kirurgjisë, Arben Gjata, njoftoi gjatë ditës se operacioni ishte kryer me sukses dhe gjendja shëndetësore e kryeministrit ishte e mirë.

“Operacioni u krye me laparoskopi. Gjendja postoperatore është stabël, gjendje e mirë, pa temperaturë dhe pa ndonjë problem”, deklaroi profesor Gjata, duke shpjeguar se që sot, zoti Rama “mund të nisë dhe të ushqehet, dhe brenda 24 orësh ndoshta mund të largohet për në shtëpi”.

Profesor Gjata tha se ndërhyrja me laparoskopi bën që koha e rekuperimit të jetë e shkurtër, brenda 2 ose 3 ditësh dhe se kryeministri nuk ka nevojë për asnjë kujdes të shtuar “është thjesht apendisit, siç e kanë hequr me mijëra qytetarë shqiptarë, asgjë më shumë asgjë më pak”./VOA