Kryeministri Kurti i pikëlluar nga vdekja e aktorit Xhevat Qorraj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime familjes, kolegëve e miqve të aktorit Xhevat Qorraj, i cili ka vdekur sot.

Sipas Kurtit, Qorraj me karrierën e tij artistike mbi pesëdekadëshe do të mbetet ndër emrat që e kanë shënjuar vetë historinë e kinematografisë dhe artit në Kosovë.

Kurti ka përmendur disa nga filmat ku ka luajtur aktori, duke thënë se i ka shikuar që në fëmijëri.

“Kam qenë 10 vjeçar kur pat bërë jehonë në Kosovë dhe rajon aktori Xhevat Qorraj në rolin e Prokës, kryepersonazh te filmi “Proka” i vitit 1985, me regji të Isa Qosjas, film të cilin e kam rishikuar disa herë. Loja mjeshtërore e Xhevat Qorrajt në filmin “Proka”, është shembulli ideal i atij paradoksi të artit, ku arti i kinemasë e nxjerrë nga harresa dhe mosnjohja një vepër arti tjetër, si në këtë rast novelën “Proka” të shkruar nga doktori prej Elbasani, Filip Papajani dhe të botuar që më 1936, e mbi bazën e së cilës u përshtat ky film”- ka thënë Kurti.

Ai i ka shprehur ngushëllime tërë komunitetit të artistëve në Kosovë.

Lajmin për vdekjen e aktorit Xhevat Qorraj u bë i ditur sot nga Teatri Kombëtar i Kosovës.

Xhevat Qorraj ka lindur në vitin 1947 në fshatin Carrabreg të Deçanit.

Për shumë vite ishte aktor në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ka interpretuar dhe në një numër filmash, si: ‘Proka’, ‘Rojet e Mjegullës’, serinë televizive “Rrushe”, etj.