Krasniqi u dërgon letër krerëve të partive parlamentare: Zgjedhjet e reja janë domosdoshmëri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u ka dërguar letër krerëve të partive parlamentare: kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përmes kësaj letre, ai ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme.

“Në takimet e fundit që i kam zhvilluar me secilin lider të këtyre partive parlamentare, kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkret”- ka shkruar  Krasniqi.

“Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një qeveri të re që fokusohet në zhvillimin ekonomik, mirëqenien qytetare dhe integrimin euro-atlantik. Zgjedhjet e reja janë thelbësore për të krijuar një Kuvend funksional që është në shërbim të interesit qytetar”- ka shtuar ai.

Kreu i PDK-së ka përkujtuar se i ka propozuar 30 qershorin ose 7 korrikun si data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas tij, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit duhet të votohet më së largu deri më 29 maj.

“Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj. Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”- ka shkruar Krasniqi.

Partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri Kurti, më 13.05.2024, ka zhvilluar një takim edhe me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi.

Në takimin tre orësh, nga Kurti dhe Krasniqi u konfirmua se temë e diskutimeve ishte edhe çështja e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

I pari që doli para mediave ishte kryetari i PDK-së, i cili tha se në takim i ka shprehur kryeministrit Kurti domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai theksoi se është i gatshëm të gjejë një dakordim me të gjitha partitë për një datë të re të zgjedhjeve dhe për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët.

Ndërsa, Kurti tha se është i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, se cila është koha më e përshtatshme për zgjedhjet. Kreu i ekzekutivit theksoi se i ka ftuar të gjitha partitë për të diskutuar rreth kësaj teme dhe se do të insistojë të takohet edhe me pjesën tjetër të opozitës, që atë ditë nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së tij.

Deklaratat pas takimit Kurti-Krasniqi ngjallën reagimin e dy partive tjera opozitare, AAK dhe LDK.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia e tij do e mbështeste shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit.

Edhe LDK, në një komunikatë për media u shpreh se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, por ata kërkojnë fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe pastaj shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën pritej të paraqitej rezoluta e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përmes të cilës do të kërkohej shkarkimi apo dorëheqja e qeverisë që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, e paraparë për t’u mbajtur më 24.05.2024, është shtyrë për një datë tjetër.

Seanca që nuk zgjati as pesë minuta u shtye për shkak të pranisë së një numri të vogël deputetësh në sallë.

Kryetarja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila ka deklaruar se është e paimagjinueshme të pritet shpërndarja e Kuvendit të Kosovës, derisa për debatin për punën e Qeverisë kishte aq pak deputetë në sallë.