Foto: Kallxo.com

KQZ-ja Lejon Dublifikimin e Nënshkrimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lejuar dublifikimin e nënshkrimeve në librin e votuesve. Rasti ka ndodhur në Shkollën e Mesme Teknike “Shaban Spahija” në Pejë (Qendra e votimit me nr: 1704Y vendvotimi 08-D) kur një qytetar ka gjetur se në emër të tij është nënshkruar një person tjetër.

Një qytetar e ka njoftuar ekipin e KALLXO.com për telashet që ka pasur gjatë procesit të votimit Shefqet Zogaj, pasi në vend të tij është nënshkruar një qytetar që ka të njëjtin emër e mbiemër. Menaxheri i kësaj qendre të votimit, Haxhi Sadiku, ka komunikuar me komisionarin e ngarkuar për verifikimin e personave para se ata të nënshkruhen dhe votojnë.

Sadiku tha se gabimi ka ndodhur për shkak se bëhet fjalë për dy persona me të njëjtin emër, mirëpo ka qenë pakujdesia e komisionarit i cili nuk e ka verifikuar edhe numrin personal. Komisionari ka kontaktuar edhe me qytetarin i cili ka nënshkruar gabimisht, duke qartësuar se i njëjti është dashur të votojë në një qendër tjetër të votimit në Pejë.

Gazetari i KALLXO.com raporton se pas konsultimeve me KQZ në Prishtinë i është lejuar personit Shefqet Zogaj që të votojë në mënyrë të rregullt, por duke u dublifikuar nënshkrimi në të njëjtën vend.