KPM nuk i përgjigjet shqetësimeve të AGK-së rreth ndryshimit të Kodit Etik

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se ende nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM), lidhur me pyetjet dhe shqetësimet e ngritura ditë më parë, së bashku me juristen e medias, Flutura Kusari, mbi propozimin e KPM-së për ndryshimin e Draft Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele në Republikën e Kosovës (Draft Kodi i Etikës) dhe Draft Rregullores për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio dhe Audiovizuele (Draft Rregullorja).

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës së bashku me znj. Kusari, kanë shqyrtuar Draft Kodin e Etikës dhe Draft Rregulloren dhe konsiderojmë se të dyja dokumentet përmbajnë nene, të cilat do të cenojnë lirinë e shprehjes së gazetarëve dhe lirinë e medias”, thuhet në një njoftim për media.

AGK ka thënë se në veçanti, janë të shqetësuar me Draft Kodin e Etikës i cili rikthen ndalimin e raportimit nga gjykatat, sikurse kishte ekzistuar me Kodin e vjetër të Etikës të vitit 2010.

“Kodi i Etikës i vitit 2016, që është ende ne fuqi dhe është hartuar me ekspertë ndërkombëtarë, kishte eliminuar nenet që pengonin raportimin nga gjykatat. KPM ka rikthyer ndalimin e raportimit nga gjykatat. Ne po ashtu kemi shqetësime për disa nga nenet e propozuara në Draft Rregullore”, ka thënë AGK.

“Përfaqësuesit e AGK-së dhe znj. Kusari gjithashtu kanë kërkuar të marrin pjesë në takimin e sotëm të KPM-së, mirëpo përmes një përgjigje elektronike, përfaqësuesit e KPM-së e kanë refuzuar këtë kërkesë. Sipas tyre, takimi i planifikuar është takim konsultativ dhe duke pas parasysh se takimi konsultativ, nuk është mbledhje e rregullt e Komisionit, rrjedhimisht edhe nuk është publik”, thuhet tutje në reagimin e AGK.

Ata kanë shtuar se kërkojnë nga përfaqësuesit e KPM-së që të mos e aprovojnë Draft Kodin e Etikës dhe Draft Rregulloren sepse sipas tyre, me këto ndryshime ligjore do të cenohet rëndë liria e shprehjes së gazetarëve dhe liria e medieve në Kosovë.

Edhe BIRN dhe Internews Kosova si dy organizata të fokusuara në zhvillimin dhe promovimin e standardeve më të larta që promovojnë lirinë e shprehjes dhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore që rregullon veprimtarinë e mediave, shprehin shqetësimin e thellë në lidhje me përmbajtjen e Draft Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Audio dhe Audiovizuele.

BIRN dhe I/KS: Draft Kodi i Etikës së KPM-së shkel parimet kushtetuese

www.kallxo.com