Pamje nga nënshkrimi i memorandumit. Foto: KALLXO.com.

Kosova pritet ta ketë memorialin kushtuar fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi, i cili ka për qëllim konsultimin dhe hartimin e dokumentit narrativ mbi memorializimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.

Memorandumi është nënshkruar nga ministri i MKRS-së Hajrulla Çeku dhe rektor i UP-së “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi.

Çeku e Qerimi thanë së se projekti për memorializimin e rrëfimit për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës ka një rëndësi të shumëfishtë për shtetin e Kosovës.

Ata thanë se vrasja dhe zhdukja e fëmijëve është pjesa më makabre e krimeve që Serbia i kreu gjatë luftës në Kosovë.

Rektori i UP-së “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi” premtoi angazhim të plotë për realizimin e memorialit për fëmijë e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës.

“Më e pakta që mund të bëjmë për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës është që mos i harrojmë ata, t’i kujtojmë dhe të gjejmë forma që ekzistenca e tyre të kujtohet në përjetësi” – tha rektori Qerimi.

Ndërsa, ministri Çeku tha se ky projekt do të realizohet në konsultim me familjarët të fëmijëve të vrarë e të zhdukur, por edhe të atyre që u mbijetuan krimeve të Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

Çeku tha se vetëm pas përfundimit të konsultimeve të gjera do të vendos rreth formës dhe realizmit të memorialit, vendit dhe kostos financiare.

Sipas tij, konsultime do të nisin këtë muaj dhe do të përfundojë në gushte të këtij viti.

“Në fillim të shtatorit ne do ta kemi materialin bazë mbi të cilin do të mund ta shpallim konkursin ndërkombëtar për projektin. Se a do të jetë një memorial në formën e një monumenti, skulpture, apo të një muzeu, kjo do të dalë pas konsultimeve të gjera, e edhe me grupin punues që është ngrit me vendim të qeverisë” – tha ministri Çeku.

Përmbajtja e memorandumit

Memorandumi, që është publikuar edhe ne ueb-faqen e MKRS, parasheh që të dyja palët nënshkruese, MKSR dhe UP “Hasan Prishtina” të bashkëpunojnë për realizmin fazës së konsultimeve me të mbijetuar dhe familjarë të fëmijëve të vrarë, deri hartimin e dokumenti narrativ për realizimin e projekti.

MKRS, sipas memorandumit ka përgjegjësi sigurimin 57 mijë eurove për projektin, ndërmjetësimin e komunikimit dhe ofrimi i informacioneve të nevojshme mes UP-se dhe institucioneve publike, prezantimi e gjetjeve dhe promovimi i projektit.

Ndërsa, UP duhet emërojë stafin për zbatimin e projekti, metodologjinë dhe planit dinamik te konsultimeve, rekrutimi i studenteve, realizimin e 150-200 intervistave me grupet e konsultimit dhe audioincizimi dhe transkriptimi i të gjitha intervistave si dhe hartimin e dokumentit narrativ.

Zbatimi i projektit parashihet të zhvillohet gjatë periudhës mars 2023 deri në shtator 2023 për përmbushjen e objektivave.

Afati i Memorandumit skadon me implementimin e plotë të projektit dhe aprovimin e Komisionit Ndërministror të Qeverisë.

Në 2019, Fondi për të drejtën Humanitare në Kosovë hapi një ekspozitë në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë në kujtim të 1,024 fëmijëve vranë dhe 109 rezultojnë ende të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.