Komuna e Mitrovicës së Veriut vazhdon aksionin për lirimin e hapësirave të uzurpura publike

Komuna e Mitrovicës së Veriut ka njoftuar se është liruar hapësira publike e shfrytëzuar ndër vite për aktivitete të gastronomisë dhe ka penguar lëvizjen e lirë të banorëve në rrugën “Sutjeska”.

“Në kuadër të aktiviteteve për realizimin e kërkesave të qytetarëve për lirimin e hapësirave publike, inspektorati komunal ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për lirimin e hapësirave në rrugën ‘Sutjeska’”- thuhet në njoftim.

KALLXO.com më 11.06.2024 ka raportuar se Komuna e Mitrovicës së Veriut ka larguar një kafiteri që kishte vepruar jashtëligjshëm në pronë publike.

Lirimi i hapësirave publike nga uzurpimi, sipas kësaj komune, është synim institucional.

Komuna ka njoftuar se në ditët në vijim do të ketë vazhdim të angazhimit komunal deri në lirimin e të gjitha hapësirave që pengojnë lëvizjen e lirë dhe rrezikojnë qytetarët.

Auoritetet komunale falënderojnë qytetarët për bashkëpunimin dhe u bëjnë thirrje që për çdo parregullësi që shohin në qytet t’i informojnë organet komunale.