Knaus pas paralajmërimit për "draft-statut të Asociacionit": Kjo nuk do t’i pëlqej Vuçiqit

Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet e ka quajtur përparim paralajmërimin se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, e cili do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit 2024.

Knaus ka thënë se kjo është përmbushje e një premtimi të bërë ndaj Asambles Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE).

“Kosova do të dorëzojë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serve në Gykatën Kushtetuese para fundit të majit; Bazuar në propozimin shumë të mirë të FESonline që plotëson të gjitha kushtet e BE-së dhe kërkesat dhe premtimet e bëra që nga viti 2013”- ka shkruar Knaus në rrjetin social “X”, më 16.05.2024.

Knaus ka hamendësuar se presidentit serb Aleksander Vuçiq, kjo nuk do t’i pëlqejë.

“Çështja atëherë është: a është kjo për krijimin e një ASM? Ose duke i dhënë atij një veto për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës”- ka shkruar tutje Kanus.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

Sipas ministres së Jashtme, kjo letër është si vazhdimësi e zotimeve të tre krerëve të shtetit, presidentes Osmani, kryeparlamentarit Konjufca dhe kryeministrit Kurti.

“Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës” – thuhet në postimin e Gërvallës në Facebook.

Sipas saj, ky draft do të shërbej për t’i integruar komunitetet joshumicë në të gjitha komunat e vendit.

“Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundësimon ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin” – deklaroi ministrja e MPJD-së.

Në fund, ajo ka kërkuar nga Këshilli i Europës që të pranoj Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Europës.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës nuk është vendosur në agjendën e mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare, që do të mbahet më 17.05.2024.

Kryeministri, Albin Kurti ka bërë të ditur më 08.05.2024 se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës. Kjo kërkesë, sipas tij nuk është parimore e as vlerore, por është absurde.

Sipas Kurtit, draft-statuti nuk është dokument zyrtar, sepse është refuzuar nga Serbia më 26.10.2023 dhe si të tillë nuk mund ta dërgojë në Kushtetuese.

Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar më 16.04.2024, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.