Incidenti në mes tifozerive në Podujevë, Policia jep detajet

21 persona janë shoqëruar në Policinë e Kosovës të përfshirë në incidentin e ndodhur në Podujevë, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit në mes Llapit dhe Ballkanit.

Policia ka njoftuar se dy zyrtarë policorë kanë mbetur të lënduar për shkak të përleshjes së tifozerive dhe gjuajtjes me mjete të forta. Ndërsa nga ana e tifozëve deri më tani janë raportuar tre të lënduar.

Organet e rendit kanë thënë se ngjarja ka nisur në stadium ku janë shkaktuar dëme materiale, duke dëmtuar ulëset dhe më pas tifozët kanë vazhduar incidentin rrugëve.

“Bazuar në të dhënat fillestare, ngjarja ka filluar në stadium, ku janë shkaktuar dëme materiale, (dëmtim i ulëseve), më pas ka vazhduar në rrugët “Besnik Restelica” dhe “Zahir Pajaziti”, ku janë dëmtuar tri vetura dhe një autobus.Pas vënies nën kontrollë të situatës, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për ngjarjen”- ka njoftuar Policia e Kosovës.

Ndeshja e luajtur në Podujevë përfundoi me rezultat 3-2 për KF Llapin.