Foto: ZKM

Hoti: Nuk do të ndalemi në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në Ditën Ndërkombëtare kushtuar viktimave të terrorizmit ka thënë se nuk do të ndalen në përpjekjet e tyre për për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.

Hoti tha se në këtë ditë kujtojnë dhe nderojnë të gjitha viktimat.

“Themeluar në vitin 2018, Dita Ndërkombëtare kushtuar viktimave të terrorizmit shënohet çdo 21 gusht. Terrorizmi është një sfidë globale, dhe po ashtu duhet të luftohet globalisht, në të gjitha format dhe shfaqjet e tij, pasi që u shkakton dëme të përhershme njerëzimit. Kosova mbetet partner në mbrojtjen e vlerave që vendet demokratike përqafojnë në të gjithë botën. Ne nuk do të ndalemi në përpjekjet tona për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin”, ka shkruar Hoti në Facebook.

21 gushti është Dita Ndërkombëtare kushtuar viktimave të terrorizmit.