Panel Diskutimi FOTO: KALLXO.com

Hajdari: UNMIK dhe EULEX kanë punuar shumë pak për rastet e dhunës seksuale në Kosovë

Prokurorja speciale, Drita Hajdari, ka thënë se në Kosovë ende nuk ka statistika reale për numrin e rasteve të dhunës seksuale në Kosovë.

Hajdari në fjalën e saj në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka thënë se misionet ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK dhe EULEX kanë bërë shumë pak për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

“Ajo që e vështirësoi punën tonë ishte fakti që pas luftës neve prokurorëve vendor nuk na është lejuar që ti ndjekim këto vepra penale, kjo punë ju është besuar UNMIK e pastaj EULEX, kanë bërë shumë pak, përkundër mundësive që i kishin. Janë rreth 900 lënde që kanë mbetur dhe 2000 dosje për të zhdukurit, kjo ishte një barrë e paparë në prokurorinë e Kosovës në situatë ku nuk kishim mjaftueshëm prokuror”- u shpreh ajo.

Prokurorja Hajdari tha që ende në Kosovë ka pak gra që raportojnë dhunën seksuale, duke i inkurajuar ato që të bëjnë një gjë të tillë.

Në Prishtinë dje dhe sot po mbahet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili organizohet  nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mbështetur nga EULEX-it.