Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Qeverisë për Ligjin për Pagën Minimale

Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se Ligji për Pagën Minimale nuk është në kundërshtim me Kushtetuten, duke i dhënë kështu të drejtë Qeverisë lidhur me këtë ligj.

Kushtetuesja ka vendosur që ndryshimet e ligjeve për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të verbrit, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë nuk janë në kundërshtim me nenin për barazi para ligjit.

Interpretimi rreth përputshmërisë së këtij ligji me Kushtetutën është bërë me kërkesë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila  më 21.07.2023 kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se ky ligj i diskriminon kategoritë e sipërpërmendura

AAK pretendonte se Ligji i prezantuar nga Qeveria pa të drejtë largon kushtëzimin se pensioni i veteranëve të UÇK-së dhe pensionet e personave të verbër, paraplegjik dhe tetraplegjik të jenë të ndërlidhur me pagën minimale në vend.

Ligji i kontestuar nga ana e AAK-së, e përcaktonte se deri në kategorizimin e veçantë për veteranët e UÇK-së, lartësinë e pensionit të tyre ta përcaktojë vetë Qeveria, çdo vit.

Të njëjtin rregullim, ligji në fjalë e ka edhe për pensionet e personave të verbër, paraplegjik dhe tetraplegjik.

Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se këto ndryshime në Ligjin për Pagën Minimale nuk bien në ndesh në nenet e Kushtetutës si  neni 24“Barazia para Ligjit” apo neni 1 “Mbrojtja e Pronës”.

Vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese mund ta gjeni KËTU.

Pasi kishte dërguar në Kushtetuese këtë ligj, Besnik Tahiri i AAK-së kishte thënë se ligji i pagës minimale nuk do ketë efekt në terren pasi që në sektorin privat nuk ka pagë nën 260 euro.

Ai kishte pretenduar se ky ligj ka shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut dhe kategoritë e dalura nga lufta e UÇK-së.

“Presim nga Kushtetuesja që ta vlerësojë dhe jemi të bindur që ky rast do t’i thejë dy padrejtësi. Padrejtësia e parë lidhet me mashtrimin flagrant të shumës së pagës minimale, të na tregojë se kush e ka pagën 260 euro, pra ky ligj nuk ka asnjë impakt në terren sepse sot nuk ka asnjë pagë nën 260 euro në sektorin privat. E dyta lidhet me dinjitetin e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së dhe për kategoritë e cenueshme siç janë të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët” – kishte thënë ai.

“I kemi adresuar tri çështje kryesore, e para Këshilli Ekonomik Social nuk është konsultuar asnjëherë për pagën minimale, tregon për një shkelje flagrante të Qeverisë së Kosovës. E dyta është diskriminimi i palëve të cenueshme, të verbërve, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, e të cilët nuk janë përfshirë dhe janë larguar. Ky është një diskriminim dhe shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut. Dhe e treta lidhet me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rast ky që është eklatant e jo vetëm që është shkelje por lidhet drejtpërdrejt që kjo kategori i përfaqëson”.

AAK e dërgon në Kushtetuese Ligjin për pagën minimale