Gjenerali i Ushtrisë Jugosllave dënohet pasi spiunoi për amerikanët

Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Momcilo Perisiç, u dënua me tre vjet burg për spiunazh për dorëzimin e dokumenteve ushtarake te një diplomat amerikan në 2002, raporton BalkanInsight.

Gjykata e Lartë e Beogradit dënoi të premten Momcilo Perisiçin, ish-shefi i shtabit i Ushtrisë Jugosllave dhe një ish-zv/kryeministër i Serbisë, me tre vjet burg se u dha informacione sekrete Shteteve të Bashkuara në vitin 2002.

Dy burra të tjerë të paditur së bashku me Perisiçin, nënkolonel Miodrag Sekuliç dhe civili Vladan Vlajkoviç, gjithashtu u dënuan secili me nga një vit e gjysmë burg.

Gjykata e Lartë e Beogradit tha në një njoftim për shtyp, se Perisiç u dënua për veprën penale të spiunazhit, ndërsa Sekuliç dhe Vlajkoviç u dënuan për zbulimin e një sekreti ushtarak.

Gjyqi filloi në 2016, dhe ka qenë i mbyllur për publikun pasi prokuroria tha që ministria e mbrojtjes dhe Ushtria Serbe donin që dokumentet që dyshohet se iu kaluan SHBA-së të mbeteshin konfidenciale.

Perisiç u vetëdeklarua i pafajshëm.

Ai u arrestua në mars 2002 në një hotel pranë Beogradit ndërsa po takonte diplomatin amerikan John David Neighbor, sipas rrëfimit zyrtar të çështjes. Perisiç i dha Neighbour-it dokumente ushtarake në lidhje me pjesëmarrjen e ushtrisë në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë.

Të dy u arrestuan, por Neighbour u la i lirë shpejt sepse ai kishte imunitet diplomatik dhe SHBA-ja menjëherë mohoi që t’i ishin dorëzuar të dhëna sekrete.

Në atë kohë, Perisiç ishte një kryetar i komitetit parlamentar për sigurinë në Asamblenë Federale Jugosllave dhe anëtar i komitetit qeveritar për kontrollin e sigurimit të shtetit.

Ai ishte gjithashtu drejtuesi i një partie politike, Lëvizja për një Serbi Demokratike, një nga 18 anëtarët e koalicionit qeverisës në atë kohë, e cila quhej Opozita Demokratike e Serbisë.

Çështja e spiunazhit u mbikëqyr nga gjykata ushtarake e Beogradit deri në 2005, kur u transferua në një gjykatë të rregullt në kryeqytetin serb.

Por procedurat u pezulluan më pas kur Perisiç u dërgua në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë për t’u gjykuar për veprat që pretendohej të ketë kryer gjatë kohës së luftës, ndërsa ishte shef i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave.

Në 2013, dhoma e apelit e Tribunalit të Hagës vendosi që Perisiç nuk ishte përgjegjës për krimet e kohës së luftës të kryera nga Ushtria Serbe e Bosnjës në Sarajevë dhe Srebrenicë sepse ajo nuk ishte nën komandën e Ushtrisë Jugosllave.

Dhoma e apelit gjithashtu e gjeti atë të pafajshëm për mosndëshkimin e vartësve të tij që morën pjesë në bombardimet e Zagrebit gjatë luftës.

Prokuroria e Tribunalit të Hagës kërkoi në 2014 që vendimi në çështjen Perisiç të rishikohej, por gjykata e refuzoi atë.