Retired General Klaus Reinhardt died at the age of 80. Photo: picture alliance / Matthias Ernert

Vdes ish-komandanti i KFOR-it në Kosovë, Klaus Reinhardt

Asociacioni i Forcave të Armatosura në Gjermani po mban zi për gjeneralin Klaus Reinhardt, ish-komandanti i forcës paqeruajtëse KFOR në Kosovë vdiq më 30 nëntor në moshën 80-vjeçare, raporton dbwv.de

Karriera ushtarake e Klaus Reinhardt filloi në vitin 1960 si kandidat për oficer për trupat malore. Tre vjet më vonë ai u bë udhëheqës i togës në Batalionin e Këmbësorisë Malore 222 në Mittenwald. Nga viti 1966 deri në vitin 1967 ka shërbyer si oficer i S3 në shtabin e batalionit.

I lindur në Berlin, Reinhardt studioi histori dhe shkenca politike në Universitetin e Freiburgut deri në vitin 1972. Reinhardt shkroi doktoraturën mbi dështimin e ofensivës së Hitlerit në Moskë në dhjetor 1941.

Si major, Reinhardt përfundoi kursin e shtabit të përgjithshëm në akademinë komanduese të Bundeswehr-it në Hamburg nga viti 1973 deri në 1975, i ndjekur nga trajnimi i mëtejshëm i shtabit të përgjithshëm në SHBA.

Pas gradimit të tij në nënkolonel, Reinhardt shërbeu si oficer shtabi në Grupin Qendror të Ushtrisë (CENTAG) të NATO-s në Heidelberg. Nga viti 1978 deri në vitin 1980 ai ishte ndihmës i zëvendësinspektorit të përgjithshëm të atëhershëm, gjeneral Jürgen Brandt.

Më pas ai mori përsipër komandën e Batalionit 231 të Këmbësorisë Malore në Bad Reichenhall për dy vjet, para se të vendosej si oficer operacionesh në stafin e Divizionit të Parë Malor në Garmisch-Partenkirchen.

I graduar në gradën kolonel, Reinhardt shërbeu si mdihmës i ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes Manfred Wörner nga viti 1983 deri në 1986, përpara se të merrte komandën e Brigadës 23 të Këmbësorisë Malore në Bad Reichenhall deri në vitin 1988.

Në tetor 1988 Reinhardt u gradua gjeneral, në pozicionin si shef i departamentit të shtabit për planifikimin në shtabin komandues të forcave të armatosura në Hardtohe në Bon. Në këtë post ai ishte gjithashtu përgjegjës për bashkimin e Bundeswehr dhe NVA në rrjedhën e bashkimit gjerman.

Si gjeneral major në tetor 1990 u bë komandant i akademisë komanduese të Forcave të Armatosura Gjermane. Reinhardt e transformoi këtë institucion në një institut strategjik dhe operacional dhe e hapi atë për ish-shtetet e Bllokut Lindor.

Universiteti i Budapestit i dha atij një doktoratë nderi për këtë. Në Koblenz, Reinhardt, ngriti Komandën e re të Ushtrisë në prill të vitit 1994. Si komandant, ai drejtoi misionet e para gjermane jashtë vendit në Somali, Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë.

Gjenerali, Klaus Reinhardt mori postin e drejtimit të NATO-s në Qendrën e Shtabit të Përbashkët të Komandantit në Heidelberg në prill 1998, ku qëndroi deri në pensionimin e tij. Gjatë kësaj kohe ai ishte edhe në komandë të përkohshme të forcës paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë.

Më 8 tetor, ai zëvendësoi gjeneralin britanik Michael Jackson në këtë post, duke marrë komandën e një force prej 50,000 ushtarësh nga 39 vende. Reinhardt qëndroi komandant i KFOR-it deri në 18 prill 2000. Më 1 prill 2001, gjenerali Klaus Reinhardt doli në pension.

Pas daljes në pension, Reinhardt ishte aktiv në industri, por gjithashtu dha mësim në shkencat politike dhe historinë moderne.

Klaus Reinhardt vdiq më 30 nëntor 2021. Ai la pas gruan dhe dy djem.