Gërvalla në Kanada: Integrimi i Kosovës në NATO forcon paqen dhe sigurinë në rajon

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në kuadër të vizitës zyrtare në Kanada, më 29.05.2024 është takuar me senatorin, Peter Boehm, kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Senatin e Kanadasë.

Gërvalla ka theksuar se integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe sigurisë.

“U diskutua gjerësisht rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë rreth rëndësisë së anëtarësimit të Kosovës në NATO si çelës për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të vendit dhe rajonit.  Gërvalla theksoi se integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe sigurisë, duke përmirësuar kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe duke ofruar një mbështetje të qëndrueshme ndaj sfidave të sigurisë në Ballkanin Perëndimor”- thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, një tjetër pikë kyçe e diskutimeve ishte rritja e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë.

“Të dy palët shprehën dëshirën për të zgjeruar mundësitë e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare, duke krijuar kushte të favorshme për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të të dy vendeve”- thuhet në njoftim.

Ndërsa theksohet se Gërvalla falënderoi senatorin Boehm për mbështetjen e palëkundur të Kanadasë ndaj Kosovës dhe nënvizoi rëndësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi për të adresuar sfidat e përbashkëta të sigurisë.