Foto: Gent Cakaj/Facebook

Gent Cakaj mirëpret arritjen e marrëveshjes ndërmjet BDI-së dhe LSDM-së në Maqedoninë e Veriut

Ministri i Jashtëm shqiptar, Gent Cakaj, e ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje  ndërmjet BDI-së dhe LSDM-së në Maqedoninë e Veriut.

Cakaj ka shkruar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të BDI-së, Artan Grubit, pas përfundimit të negociatave në mes të partnerëve.

“Kam shprehur urimet më të sinqerta për marrëveshjen historike që do të mundësojë për herë të parë një Kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut, qoftë edhe vetëm 100 ditë si fillim. Po ashtu, krahas faktit se Kryetari i Kuvendit do të vazhdojë të jetë një shqiptar, mbetet arritje historike që diplomacia e Maqedonisë së Veriut do të udhëhiqet nga një shqiptar”, ka shkruar Cakaj.

Sipas marrëveshjes, BDI-ja do ta ketë pozitën e kryeministrit në 100 ditët e fundit të mandatit, kryetari i Kuvendit do të jetë nga kjo parti dhe gjithashtu ministria e jashtme do të udhëhiqet nga partia shqiptare.