Gazetari Branisllav Kërstiq e krahason Policinë e Kosovës me atë të Millosheviqit

Gazetari nga Mitrovica e Veriut, Branisllav Kërstiq, ka thënë se qytetarët e komunitetit serb në veri të vendit nuk i besojnë Policisë së Kosovës.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se “serbët në atë pjesë çdo ditë përballen me presione”.

“Nuk mundeni që për 18 muaj të ngujoni tërësisht banorët serbë në Kosovë. A ju intereson vetëm territori, apo edhe njerëzit që jetojnë në veri të Kosovës? Keni sinjalet, keni reagimet nga njerëzit në veri të Kosovës, që serbët nuk i besojnë Policisë së Kosovës, keni informata nga qarqet diplomatike, që në kuadër të Njësive Speciale Policore ekzistojnë ata që janë trajnuar me muaj, në kuadër të Njësive Speciale, të ashtuquajturit “Hakmarrësit”, gjegjësisht përfaqësuesit e Njësive Speciale Policore” – tha Kërstiq.

I pyetur se ku i bazon këto informata, Kërstiq tha se “nga burime diplomatike krejtësisht të verifikuara”.

“Jam i gatshëm të dëshmoj edhe para AKI-së, edhe para shtetit të Kosovës që janë të specializuar për hakmarrje njerëz që kanë pësuar dëme të mëdha nga regjimi i Millosheviqit, pra njerëz që kanë humbur anëtarë të familjes… Ne kemi presione në baza ditore, presione ndaj popullatës…” – shtoi tutje ai.

Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë në vend, Nuredin Ibishi, i ka reaguar duke thënë se krejt këto janë spekulime.

“Këta janë djem të rinj, jo bre Kërstiq, krejt këto janë spekulime .Të gjitha spekulime, mos i transmeto ti vet këto të pavërteta…” – tha Ibishi.

Kërstiq tha gjithashtu se kryetarët e komunave me shumicë serbe janë duke e mbajtur pushtetin jolegjitim.

“OSBE-ja hesht, të gjithë heshtin, hesht shteti i Kosovës, e gjithë popullata serbe në veri të Kosovës është çka? Të arrestuar, jo të okupuar, por të arrestuar në veri të Kosovës. Për 18 muaj me radhë, mbajnë pushtet jolegjitim lokal me vetëm 75 vota. E dini se si ka shkuar regjimi i Millosheviqit, kur ka dashur që me çizme uniformash ta kalitë pushtetin…” – tha tutje Kërstiq.

www.kallxo.com