‘Forth Wave’ aksion te rruga ku u vra Liridona Ademaj, kërkohet drejtësi

“Drejtësi për Liridona Ademaj: S’lejojmë t’harrohet” ishte sllogani me të cilin organizata ‘Forth Wave’ mbajti një aksion në rrugën ku ishte vrarë Liridona Ademaj.

Përmes këtij aksioni, organizata ka kërkuar drejtësi ndaj rastit në fjalë.

Sipas tyre është shumë e domosdoshme që veçanërisht akuzat për tradhti të vlerësohen në mënyrë të paanshme duke siguruar një proces të drejtë ligjor.

“Ne i bëjmë thirrje sistemit të drejtësisë, që të trajtojë këtë çështje me seriozitet më të madh, duke theksuar rëndësinë e respektimit të parimeve të përcaktuara në Konventën e Stambollit, e cila ndalon gjykimet morale” – ka thënë Fourth Wave përmes një postimi në Facebook.

Tre persona janë të dyshuar për vrasjen e cila pretendohet në dosjet e hetuesisë dhe prokurorisë se ishte inskenuar, ndërsa urdhërdhënësi për të kryer vrasjen dyshohet të jetë Naim Murseli, burri i Liridona Ademajt.

Në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, përmendet fakti se rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë, me maskë në kokë e i armatosur kishte dalë para veturës tashmë i dyshuari Granit Plava dhe nga një afërsi e kishte qëlluar me plumb në qafë Liridona Ademajn.

Nga plaga që ka marrë Liridona Ademaj kishte vdekur ndërsa Prokuroria përshkruan edhe detaje të tjera të cilat tregojnë inskenimin e një grabitje e cila sipas prokurorisë besohet të jetë një vrasje me pagesë.

Prokuroria në dokumentin e saj me të cilin ka kërkuar edhe masën e sigurisë-paraburgimin e tre të dyshuarve, Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla, ka treguar rolin e secilit prej tashmë të pandehurve në rast.

Fillimisht, Naim Murseli pretendohet sipas dosjes që ishte marrë vesh me Granit Plavën që kur të dalë me maskë ta qëlloj me armë Liridona Ademajn, Naimi me dy fëmijët të largohej nga vetura fillimisht.

Naim Murseli bashkë me bashkëshorten Liridona Ademajn dhe dy fëmijët e tyre ishin në një veturë të tipit “BMË” me targa të Suedisë.

Liridona Ademaj kishte mbetur e vdekur në vendin e ngjarjes nga plaga që kishte marrë prej armës e që dyshohet se kishte shtënë Granit Plava.

Sipas dosjes së prokurorisë, Naim Murseli i kishte premtuar Granit Plavës paraprakisht një shumë të hollash prej 30 mijë euro për të kryer vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas dosjes, Naim Murseli i kishte treguar për problemet bashkëshortore familjarit të tij Kushtrim Kokalla, ky i fundit pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës, ndërsa i njëjti pretendohet se i kishte thënë se “unë ta zgjidhi këtë punë”.

Ngjarja ka ndodhur me datë 29 nëntor të vitit 2023.