
Ilustrim
Ferizaj, arrestohen 2 të dyshuar për grabitjen e armatosur në një market
Policia ka njoftuar më 04.03.2025 se ka arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se janë autorët e një grabitjeje të armatosur që ka ndodhur mbrëmë, më 03.03.2025, rreth orës 18:25, në Ferizaj.
Policia kishte pranuar një informatë për një grabitje të armatosur në një market në rrugën “Astrit Bytyqi” në Ferizaj. Menjëherë, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, hetuesit e stacionit policor të Ferizajt, hetuesit rajonalë dhe krim-teknikët, për të kryer hetimet dhe ekzaminimet e nevojshme.
Sipas Policisë, nga deklarata e ankueses (punëtores së marketit) dhe shqyrtimi i pamjeve nga kamerat e sigurisë është konstatuar se dy persona të maskuar, nën kërcënimin e armës kanë hyrë në market dhe kanë marrë një shumë të parave, rreth 1,000 euro.
Policia ka njoftuar sot se falë një pune intensive hetimore në terren, hetuesit rajonalë kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë dy të dyshuarit I.D., 35- vjeç, dhe M.Q., 27-vjeç.
Me urdhër të gjykatësit është kryer bastisja e banesës të tyre, ku janë siguruar prova që lidhen me rastin.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, në pritje të procedurave të mëtejshme hetimore.