Regjisori Ekrem Kryeziu; FOTO: KALLXO.com

Ekrem Kryeziu rrëfen për ndikimin që patën në Kosovë dokumentarët e tij për hakmarrjen

Në fillet e transmetimeve audio-vizuele në Kosovë, regjisori dhe dramaturgu Ekrem Kryeziu ka tentuar të shpërfaqë realitetin e hakmarrjeve përmes dramave dhe dokumentarëve.

Në një rrëfim për ‘Kallxo Përnime’, Kryeziu ka treguar se sa ka qenë sfiduese që të realizojë krijime artistike në vitet ’60 e ’70 të shekullit të kaluar, kohë kur nuk kishte avancime teknologjike dhe njerëzit nuk ishin mësuar të shfaqeshin në televizion.

Për punën e tij në dokumentarin ‘Të Ngujuarit’ që ka temë hakmarrjen ai thotë se përmes bisedave me njerëz që kanë qenë peng i fenomenit të asaj kohe, pra hakmarrjes, ka treguar një pjesë të realitetit shqiptar.

“I kam bërë dy dokumentarë për hakmarrje, biseda me njerëz që kanë qenë të mbyllur e me ata që i kanë ndjek. Çfarë logjike e kanë ata që e bëjnë këtë gjë? Jam kanë në një shtëpi që ishin mbet si qyqja në rrem prej hakmarrjes. Kur e ka marrë vesh pala tjetër që kam biseduar me ta e t’u më sha mu,  se si po guxon ti me hi aty”, rrëfeu dramaturgu.

‘Të Ngujuarit’ është realizuar në vitin 1972 me Faruk Begollin dhe Shani Pallaskën.

“E pa që unë jam njeri i pushtetit edhe atëherë ajo çka më ka prekur shumë se më tha që unë ata kur du mundem me i vra,  ama du me i pa duke vdekur”, tregoi Kryeziu për rrëfimet që i kishte dëgjuar e ishte inspiruar gjatë asaj kohe.

Kryeziu thotë që pas veprës ‘Të Ngujuarit’ ai kishte marrë shumë kritika negative të cilat ishin publikuar nëpër gazetat e asaj kohe.

Arsyeja e këtyre kriktikave ishte për shkak se personazhi i veprës së tij artistike kishte ikur nga Kosova për shkak të frikës nga hakmarrja.

“Dëgjova për një rast tjetër që ka ndodh një ndjekje me marrë gjakun te një familje që ka pasur shumë anëtarë të familjes, Ekremin një profesor. E kishin dërgu në Beograd prej frikës se ish bërë impotent. Unë i mbledh këto materiale edhe inspirohna për ‘Të ngujuarit’”, tregoi ai.

Por, pas këtij rasti ai kishte marrë kritika me arsyetimin se pse e ka paraqitur protagonistin-shqiptarin sikurse ‘frikacak’.

“Qysh është e mundur që shqiptari të frikësohet – më thoshin. Se personazhi im kryesor frikësohet se është i ri. Ia bojsha a jeni në mend që edhe shqiptari e do jetën, frikësohet”, tregoi ai.

Mbas dokumentarit njerëzit thoshin kallëzomani shtëpinë e Ekremit t’ia kallzojmë qejfin se qysh tutet shqiptari”, rrefeu tutje ai.

Këto kritika ai kishte marrë nga një person i njohur, i zëshëm, poeti Fahredin Gunga.

“Para se me fillu lufta qiky person, ai e kish shtëpinë nga shtëpia e Ibrahim Rugovës, më thojke: Ah bre Ekrem çka të kam ba, çfarë fushate kundër teje! Ia bojsha hajt pashë Zotin se unë e kam ditë që nuk mundeni me ba sen me artikuj të gazetave. Unë kam pasë të drejtë se na nuk mundemi me fsheh plagën”, thotë skenaristi.