EdGuard: 97% e mësimdhënësve pro vendimit për mësim në shkolla

Instituti EdGuard sot ka publikuar të dhënat e hulumtimit “Mësimi në pandemi”: perceptimet e mësimdhënësve dhe nxënësve për mësimin në pandemi.

Në bazë të këtij hulumtimi që kanë marrë pjesë rreth 523 nxënës të shkollave fillore të mesme të ulëta dhe 312 mësimdhënës klasor dhe lëndor,  13% e mësimdhënës besojnë se viti shkollor gjatë kohës së pandemisë është shumica ose i gjithi i humbur.

Kurse, 27% e tyre thonë se është mesatarisht i humbur dhe 36% e mësimdhënësve thonë se është pak i humbur dhe 24% e tyre vlerësojnë se viti shkollor është aspak i humbur.

“43% e mësimdhënësve thonë se janë pak ose mesatarisht efikas në mësimdhënie me orar të shkurtuar. 40% e mësimdhënësve thonë se nxënësit arrijnë mesatarisht ose pak mësimnxënien me orar të shkurtuar”, thuhet në raportin e institutit EdGuard.

Në këtë raport po ashtu është theksuar se 97% e mësimdhënësve e vlerësojnë si të duhur vendimin për rikthim në shkolla, kurse 82% e mësimdhënësve thonë se duhet të vazhdohet mësimi me prezencë fizike në shkollë.

Kurse, sa i përket nxënësve, 92% e nxënësve ndjehen shumë të lumtur me rikthimin në shkollë dhe 60% e nxënësve mendojnë se pandemia ka ndikuar për të keq në mësimnxënie.

“67% e nxënësve pohojnë se mësimi online është më i keq krahasuar me mësimin me prezencë fizike në klasë.76% e tyre thonë se kanë ndjekur mësimet online me anë të telefonit”, thuhet më tej në hulumtimin e këtij instituti.

Në hulumtim është theksuar se gjatë vitit 2020 nxënësit kosovar thonë të kenë lexuar 33% më pak libra se gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

“Gjatë vitit 2020, nxënësit kosovar kanë lexuar 33% më pak libra se gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. 1663 libra të lexuar në vitin 2019. 1115 libra të lexuar në vitin 2020”, theksohet në fund.

Tutje thuhet se nga 25,000 persona të testuar për COVID-19, janë infektuar 2,301 mësimdhënës dhe vetëm 1,649 nxënës.

Në publikimin e këtij raporti ka marrë pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, i cili tha se në bazë të këtyre të dhënave nuk përajshtohet mundësia që gjysmëvjetori i dytë shkollor të fillojë përsëri në objekte shkollore.

Nxënësit e Kosovës do të përfundojnë sot gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 2020/21.

Ky gjysmëvjetor që u nis me vonesë po ashtu është përfunduar më herët se sa që ishte paraparë sipas planprogramit të vitit shkollor të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Qeveria e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, ka marrë vendim që gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021 të përfundojë më 18 dhjetor dhe gjysmëvjetori i dytë të nisë më 18 janar.

Likaj: Gjysmëvjetori i dytë mund të fillojë përsëri në shkolla

.