Likaj: Gjysmëvjetori i dytë mund të fillojë përsëri në shkolla

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka paralajmëruar se gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2020/21 mund të fillojë përsëri në objektet shkollore.

Kjo sipas Likajt është sepse sipas testimeve të bëra për COVID-19 vetëm 0.45% e nxënësve kanë qenë të prekur me coronavirus.

“Kjo na tregon se nxënësit nuk e bartin infeksionin dhe rekomandimi na inkurajon që me vazhdu mësimin në objektet shkollore edhe në gjysmëvjetorin e dytë. Qoftë 20 minuta qoftë 30 minuta, ato janë orë efektive”, tha Likaj gjatë publikimit të raportit mbi mbarëvajtjen e mësimit në pandemi nga Instituti EdGuard.

Ai shtoi se fëmijët që kanë humbur mësim gjatë kësaj kohe do të kenë mësim plotësues si dhe pushim pranveror nuk do të ketë.

“Ne kemi hartuar një udhëzim që parasheh se nëse nxënësit kanë humbur më shumë se 5 ditë do t’i kompensojnë të shtunave si dhe nuk do të ketë pushim pranveror”, tha Likaj.

Nxënësit e Kosovës do të përfundojnë sot gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 2020/21.

Ky gjysmëvjetor që u nis me vonesë po ashtu është përfunduar më herët se sa që ishte paraparë sipas planprogramit të vitit shkollor të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Qeveria e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, ka marrë vendim që gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021 të përfundojë më 18 dhjetor dhe gjysmëvjetori i dytë të nisë më 18 janar.

Në bazë të kalendarit shkollor, mësimi në Kosovë ishte dashur të përfundojë më 24 dhjetor dhe të nisë më 8 janar.

Mes sfidës të infektimeve nga COVID-19, shkollat e Kosovës që nga muaji shtator kanë arritur të mbajnë mësim sipas planeve të hartuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Mësimi filloi sipas tre skenarëve të përgatitur nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Skenari A që është për mësim fizik në shkolla, skenari B mësim i kombinuar dhe skenari C mësim online nga platforma të ndryshme.

Sot përfundon gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor