Bislimi: Problem për vizat nuk janë shtete mos njohëse, por ato që kanë dyshime për luftimin e korrupsionit

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, tha se problemi i liberalizimit të vizave për Kosovën janë shtetet që kanë mëdyshje për efikasitetin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit.

“Liberalizimi i vizave nuk ka të bëjë asgjë me vendet mos njohëse, sepse vendet si Greqia apo Sllovakia nuk kanë pasur kurrfarë problemi, por as Spanja në procesin e liberalizmit të vizave, në fakt shtet të cilat ende janë skeptike janë ato të cilat e kanë njohur Kosovën por kanë problem me faktin që, sipas tyre, avancimi jonë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është i mjaftueshëm por duhet të shkoj përtej asaj që përfshihet në reformat ligjore”, tha Bislimi, gjatë raportimit të tij para Komisionit për Integrime Evropiane.

“Një pjesë e brengës nuk ka të bëjë direkt me Kosovën, por ka të bëjë me dëshpërimin e qytetarëve të këtyre shteteve me liberalizimin, ndoshta të përshpejtuar të lëvizjes së lirë të disa shteteve të tjera të cilat tani shihen si burime të problemit, shembull, Moldavia, Ukraina, Gjeorgjia deri diku edhe Shqipëria edhe kanë brengë se e njëjta pastaj do të vazhdohet dhe ju duket politikisht e kushtueshme”, theksoi ai.

Bislimi ka renditur disa nga problemet që krijojnë skepticizëm te disa shtete, duke i emërtuar ato dhe theksuar se janë duke punuar që të evitojnë paqartësitë për të ecur para për eliminim të regjimit të vizave.

“Problemi pak më i madh duket se ka të bëjë me brengat që ka Ministria e Punëve të Brendshme e Francës dhe rrjedhimisht ministri Xhelal Sevçla ka filluar menjëherë kontaktet dhe janë duke ndërtuar grupe të përbashkëta të punës. Një nga vendet që ka ende vërejtje është edhe Holanda. Ministria e Punëve të Jashtme është në kontakt me palën atje për të parë sesi do të adresoj këto brenga, jo zyrtarisht na është thënë që brenga ka edhe Belgjika”, shtoi ai.

Bislimi tha se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) është duke punuar në sigurimin e partnerëve që do të mbështesin Kosovën në këtë proces.

“Ministria e Punëve të Jashtme është duke punuar në gjetjen e partnereve që do të jenë zëri ynë në rast se shtrohet tema, për shkak që Kosova nuk mundet me qenë aty, na duhen partner që avokojnë për këtë çështje”, tha ai.