I dënuari Darko Tasiq në Gjykatën e Prizrenit (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari i krimeve të luftës në Krushë: Është i tmerrshëm përgjysmimi i dënimit ndaj Darko Tasiqit

Dëshmitari i krimeve të luftës  në Krushë të Vogël, Agron Limani e ka cilësuar të papranueshëm dhe të tmerrshëm përgjysmimin e dënimit ndaj të dënuarit për krime të luftës në Kosovë, Darko Tasiqit.

“Është e tmerrshme. Për një vrasje në Kosovë me çdo të drejtë gjykatat e Kosovës i kanë dënuar dy persona me burg të përjetshëm. Ndërsa këtij t’i zbritet dënimi për krime ndaj personave të cilët janë vrarë dhe pastaj ia kanë djegur kufomat. Kjo është e tmerrshme për drejtësinë në Kosovë”, tha Limani.

Limani tha se ata kanë pritur që të i rritet dënimi  për shkak se Darko Tasiqi së bashku me babain e tij, vëllaun e tij dhe një fqinjë tjetër kanë përdhosur trupave e vdekur, e në mesin e tyre edhe të plagosur duke i djegur ata dhe duke i hedhur në lumin Drin.

Darko Tasiqit sot Gjykata e Apelit nga 22 vite burgim për krime të luftës në Krushë të Vogël i është ulur dënimi në 11 vite.

Me vendimin e Apelit ai do t’i mbajë 11 vite burgim pasi u gjet fajtorë për krime të luftës kundër popullatës civile në Kosovë.

Ai akuzohet edhe se mori automjetet dhe makinerinë bujqësore dhe sende të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit dhe fshatarëve të tjerë përreth.

Për këtë pikë të aktakuzës Gjykata e shpalli fajtor Tasiqin dhe e dënoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vitesh.

Ndërsa sipas pikës dy të aktakuzës, Darko Tasiq akuzohej edhe me veprime të tjera si pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në lumin Drin.

Për pikën e dytë të aktakuzës Tasiq u shpall fajtor dhe u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 16 vitesh.

Familjarë të viktimave gjatë luftës së fundit në Krushë të Vogël të Prizrenit kanë protestuar disa herë para Gjykatës së Prizrenit duke kërkuar dënimin e kriminelëve të luftës.

Pas shpalljes së vendimit për Tasiqin, protestuesit kanë tentuar që të hyjnë brenda stacionit të Policisë që është prapa Gjykatës dhe kanë sulmuar automjetin me të cilin po bartej i akuzuari.