I akuzuari Darko Tasiq (me maskë) - Foto: KALLXO.com
Apeli ia përgjysmon dënimin të akuzuarit për masakrën në Krushë të Vogël
Të dënuarit me 22 vite burgim për krime të luftës në Krushë të Vogël i është ulur dënimi nga Gjykata e Apelit.
Darko Tasiqit dënimi prej 22 vite i është përgjysmuar në 11 vjet.
Me vendimin e Apelit ai do t’i mbajë 11 vite burgim pasi u gjet fajtorë për krime të luftës kundër popullatës civile në Kosovë
Ai akuzohet edhe se mori automjetet dhe makinerinë bujqësore dhe sende të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit dhe fshatarëve të tjerë përreth.
Për këtë pikë të aktakuzës Gjykata e shpalli fajtor Tasiqin dhe e dënoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vitesh.
Ndërsa sipas pikës dy të aktakuzës, Darko Tasiq akuzohej edhe me veprime të tjera si pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në lumin Drin.
Për pikën e dytë të aktakuzës Tasiq u shpall fajtor dhe u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 16 vitesh.
Familjarë të viktimave gjatë luftës së fundit në Krushë të Vogël të Prizrenit kanë protestuar disa herë para Gjykatës së Prizrenit duke kërkuar dënimin e kriminelëve të luftës.
Pas shpalljes së vendimit për Tasiqin, protestuesit kanë tentuar që të hyjnë brenda stacionit të Policisë që është prapa Gjykatës dhe kanë sulmuar automjetin me të cilin po bartej i akuzuari.