Protesta e familjarëve të Krushës Foto: KALLXO.com

Pas protestës së krushjanëve reagon Gjykata e Apelit

Banorë të Krushës së Madhe dhe të Vogël dhe familjarë të viktimave të luftës në këtë zonë protestuan sot para Gjykatës së Apelit pas uljes së dënimit prej 22 në 11 vite për të dënuarin Darko Tasiq.

Këta qytetarë vendimin për përgjysmimin e dënimit e konsideruan të padrejtë.

Pas kësaj proteste me anë të një komunikate me shkrim ka reaguar Gjykata e Apelit. Kujtojmë se kolegji që e mori vendimin janë gjyqtarët Kreshnik Radoniqi, kryetar dhe Burim Ademi dhe Milan Bigoviq, anëtarë.

Kjo gjykatë tha se sipas ligjit ndaj të akuzuarve duhet të zbatohen dispozitat ligjore të cilat janë më të favorshme për të pandehurit.

Sipas Apelit deri tek ulja e dënimit për Darko Tasiqin ka ardhur pasi është zbatuar ligji më i favorshëm sipas të cilit dënimi maksimal është 20 vite burgim.

Apeli ka vlerësuar se Gjykata e Prizrenit e cila i ka shqiptuar 22 vite burgim e ka tejkaluar maksimumin e dënimit. Shkalla e dytë thekson se Prokuroria nuk ka të drejtë as kushtetuese e as ligjore që të ngarkojë dikë me akuzë sipas ligjit më të pafavorshëm për të.

Gjykata e Apelit në fund sqaron opinion se Darko Tasiq nuk ishte i ngarkuar as për vrasje, as për rrahje apo çfarëdo torture ndaj popullsisë civile, mirëpo për plaçkitjen e sendeve dhe përdhosjen e kufomave që kategorizohet si veprim kundër dinjitetit njerëzor.

Apeli kujton se është institucion për të bërë drejtësi, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, pa dallime kombëtare, racore, etnike a fetare dhe larg çfarëdo paragjykimi.

Në qershor të 2020-tës, Darko Tasiq ishte dënuar për krime lufte. Atij nga gjykata e Prizrenit i ishin shqiptuar 22 vite burgim pasi u gjet fajtorë për plaçkitje dhe pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar.

Me ketë venim nuk u pajtua gjykata e Apelit e cila dënimin e uli përgjysmë.

Me vendimin e Apelit ai do t’i mbajë 11 vite burgim pasi u gjet fajtorë për krime të luftës kundër popullatës civile në Kosovë. Ai akuzohet edhe se mori automjetet dhe makinerinë bujqësore dhe sende të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit dhe fshatarëve të tjerë përreth.

(VIDEO) Darko Tasiq dënohet për krime lufte në Krushë të Vogël