Delegacioni i Kuvendit takoi presidentin e Asamblesë Parlamentare të KiE, Theodoros Rousopoulos

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i udhëhequr nga nënkryetarja Saranda Bogujevci dhe anëtarët tjerë, deputetët Arben Gashi, Enis Kervan, Ariana Musliu-Shoshi dhe Besnik Tahiri, takoi presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos.

Në një komunikatë për media u bë e ditur se gjatë takimit, nënkryetarja Bogujevci falënderoi presidentin Rousopoulos për lidershipin dhe angazhimin e tij shumë efektiv dhe për votën dhe mbështetjen e madhe që iu dha Kosovës në votimin në Asamblenë Parlamentare.

“Nënkryetarja Bogujevci theksoi se tanimë rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit është rrugë njëkahëshe dhe se ka mbetur vetëm edhe një hap për t’u përmbyllur një mision, që është fisnik e i drejtë për qytetarët e Kosovës, pa dallim”- thuhet në njoftim.

Tutje, Bogujevci ka theksuar se se bashkëpunimi i Kosovës me këtë institucion do të vazhdojë të thellohet, në veçanti do të intensifikohet pas anëtarësimit që nënkryetarja pret të ndodhë me një vendim të drejtë të Komitetit të Ministrave.

Delegacioni gjatë këtij sesioni po ashtu do të zhvillojë takime edhe me personalitete dhe anëtarë të delegacioneve të tjera pjesëmarrëse, si dhe takime me krerët e Grupeve Politike.

Kosova i ka kaluar dy prej tri fazave të nevojshme për pranim në Këshill të Evropës, organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut.

Në hapin e tretë – miratimin e anëtarësimit në Komitet të Ministrave – Kosova nuk është përfshirë në agjendë, pasi nuk ka bërë hapa të mjaftueshëm drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.