Gjykimi për vrasjen e Naser Morinës në Rahovec. FOTO-Tringa Rruka/KALLXO.com

Burri nga Rahoveci del para gjykatës, mohon të ketë vrarë vëllanë e tij

Arben Morina, i akuzuar për vrasjen e vëllaut të tij Naser Morina, u deklarua i pafajshëm sot para Gjykatës së Gjakovës.

Prokuroria pretendon se Arben Morina, në maj të vitit 2019, me një të shtënë me armë, kishte vrarë vëllaun e tij.

Në sallë të gjykimit ishte prezent edhe nëna e të akuzuarit Kimete Morina, e cila kërkoi që djali i tij Arben Morina të lirohet nga burgu dhe tha se i njëjti është i pafajshëm.

I akuzuari gjendet në paraburgim prej datës 17 tetor 2019, i dyshuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Ali Uka,  akuzuari në maj të vitit 2019, në fshatin Çifllak të Komunës së Rahovecit  , në shupën e shtëpisë kishte  vrarë vëllain e tij 33 vjeçar, Naser Morinën.

Në aktakuzë thuhet se i ndjeri Naser Morina ishte qëlluar një herë nga arma në pjesën e përparme të kraharorit dhe se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme si pasojë e plagës tejshkuese nëpër regjionin e zemrës.

Aktakuza thotë se arma nuk është arritur të konfiskohet, pasi që pas kryerjes së veprës penale dyshohet se i akuzuari e ka hudhur.

Gjykatësi i rastit, Shaqir Zika i’u dha kohë palëve që brenda 30 ditëve të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe provave të saj.

 

Prokuroria për vrasjen në Rahovec: Vëllai e qëlloi vëllanë me një plumb në gjoks