Ilustrim

Borrell: Pres që Kurti e Vuçiq të gjejnë gjuhë të përbashkët

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se në takimin e sotëm pret nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të gjejnë gjuhë të përbashkët.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibil për të gjetur gjuhën e përbashkët”, ka shkruar ai në Twitter.

Sot pritet të mbahet takimi i tretë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Zyra për media e BE-së kishte bërë të ditur se takimi ndërmjet dy liderëve do të jetë më 18 gusht në Bruksel me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarin e BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak.

Fillimisht do të ketë takime dypalëshe midis përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe liderëve. Takimi i Kurtit me Borrellin është paraparë të mbahet rreth orës 09:30.

Ndërkaq, takimi trepalësh do të nisë më 10:30.