Antony Blinken - Foto: VOA/Reuters

Blinken: Vuçiq të ulë statusin e sugurisë të forcave të armatosura

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Blinken ka theksuar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Qeveria e tij duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura të Serbisë dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.

“Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme” – thuhet mes tjerash në reagim.

Vetëm disa orë pas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti se Policia nuk do të tërhiqet nga veriu për aq kohë sa ka grupe të dhunshme në rrugë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që t`i tërheqë forcat policore nga atje.

Ai përsëriti se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet “në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”.

Kryeministri i Kosovës, në një intervistë për CNN, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me situatën e krijuar në veri.

Por, ai ka theksuar se nuk “nuk do ta dorëzojë Republikën demokratike te milicia fashsite”.

“Të gjithë faktorët ndërkombëtarë i kanë njohur zgjedhjet që janë mbajtur më 23 prill. Kur e njeh procesin dhe rezultatet, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në komuna. Kush tjetër duhet të jetë aty, nëse jo kryetarët. Po punojmë ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në e BE-në, që i konsiderojmë aleatë shumë të vlefshëm e partnerë. Do të bëjmë më të mirën. Por, nuk do ta dorëzojë Republikën demokratike te milicia fashiste” – tha Kurti.

Këto deklarata Kurti i bëri pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Kurti tha se Policia do jetë në veri, Blinken i kërkon tërheqjen e tyre