Arkiv - Foto: Antony Blinken, Twitter

Kurti tha se Policia do jetë në veri, Blinken i kërkon tërheqjen e tyre

Vetëm disa orë pas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti se Policia nuk do të tërhiqet nga veriu për aq kohë sa ka grupe të dhunshme në rrugë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që t`i tërheqë forcat policore nga atje.

Sekretari Blinken i bëri thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai përsëriti se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet “në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”.

“Kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti dhe Qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative, jashtë ndërtesave komunale, dhe t’i tërheqin forcat policore prej atje. Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, tha Blinken në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Kryeministri i Kosovës, në një intervistë për CNN, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me situatën e krijuar në veri.

Por, ai ka theksuar se nuk “nuk do ta dorëzoj Republikën demokratike te milicia fashite”.

“Të gjithë faktorët ndërkombëtarë i kanë njohur zgjedhjet që janë mbajtur më 23 prill. Kur e njeh procesin dhe rezultatet, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në komuna. Kush tjetër duhet të jetë aty, nëse jo kryetarët. Po punojmë ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në e BE-në, që i konsiderojmë aleatë shumë të vlefshëm e partnerë. Do të bëjmë më të mirën. Por, nuk do ta dorëzojë Republikën demokratike te milicia fashiste”, tha Kurti.

Këto deklarata Kurti i bëri pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

 

Sanksionet e ShBA-së: Mesazhi i plotë i ambasadorit amerikan