Josep Borrell (në mes) dhe Federica Mogherini (djathtas).

BE planifikon një mision detar në Detin e Kuq për t’i mbrojtur anijet nga sulmet rebele

Bashkimi Europian planifikon ta nisë një mision detar në Detin e Kuq brenda tri javësh për të ndihmuar në mbrojtjen e anijeve të ngarkesave kundër sulmeve të rebelëve Houthi në Jemen që po pengojnë tregtinë dhe po shkaktojnë rritjen e çmimeve, ka thënë të mërkurën Shefi i politikës së jashtme të BE Josep Borrell, duke shtuar se ai dëshiron që misioni të fillojë dhe të funksionojë deri më 17 shkurt.

Zyrtarët thonë se shtatë vende të BE janë gati të ofrojnë anije ose aeroplanë. Belgjika tashmë është zotuar ta dërgojë një fregatë, një anije e vogël dhe e shpejtë me vela. Gjermania pritet të bëjë të njëjtën gjë.

Javën e kaluar, forcat amerikane dhe britanike bombarduan objektiva të shumta në tetë lokacione të përdorura nga Huthi të mbështetur nga Irani. Ishte hera e dytë që të dy aleatët kishin kryer sulme të koordinuara hakmarrëse ndaj aftësive të rebelëve për lëshimin e raketave.

Houthi-t kanë zhvilluar një fushatë të vazhdueshme sulmesh me dronë dhe raketa ndaj anijeve tregtare që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në tetor, mirëpo Borrell këmbënguli se misioni i BE-së nuk do të marrë pjesë në asnjë sulm ushtarak.

“Ky është qëllimi: mbrojtja e anijeve. Përgjimi i sulmeve kundër anijeve. Duke mos marrë pjesë në asnjë lloj aksioni kundër Houthis. Vetëm duke i bllokuar sulmet e Houthis” – u tha Borrell gazetarëve përpara se ta kryesonte një takim të ministrave të mbrojtjes të BE-së në Bruksel.

Ministrat pritet të vendosnin më vonë të mërkurën se cili vend anëtar duhet t’i udhëheqë përpjekjet detare – Franca, Greqia dhe Italia po konkurrojnë për atë rol – dhe ku duhet të jetë selia e misionit.

Borrell ka thënë se bizneset kanë kërkuar veprim të BE-së, duke pasur parasysh implikimet tregtare të detyrimit të anijeve tregtare ta anashkalojnë Detin e Kuq në rrugën e tyre për në dhe nga Evropa.

“Shumë kompani evropiane na kërkuan ta bëjmë këtë sepse modeli i tyre i biznesit po vuan shumë për shkak të rritjes së lartë të kostos dhe duhet të zbresin në Afrikën e Jugut” – ka thënë shefi i jashtëm i BE, duke iu referuar rrugës alternative që po marrin anijet tregtare.

“Po ndikon në çmimet, po ndikon në inflacion. Pra, është një përpjekje e natyrshme për ne që të përpiqemi ta shmangim këtë rrezik.”/El Pais

Përgatiti: Nuhi Shala