Babai i Agon Musliut rrëfen para deputetëve si u dërgua djali i tij në karantinë (VIDEO)

Në komisionin hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë është duke folur edhe Naim Musliu, babai i të riut Agon Musliu i cili vdiq në Qendrën e Studentëve të shndërruar në karantinë gjatë kohës së pandemisë.

Naim Musliu para se të fillonte dëgjimin, kërkoi një minutë heshtje për djalin e tij dhe gjithë atyre që po vdesin nga COVID-19.

Ai iu drejtua Kusari -Lilës se i kanë treguar çfarë të flasë dhe pse i pengoi prezenca e tij në këtë komision.

Musliu tha se dërgimi i djalit të tij në karantinë ka qenë i kundërligjshëm.

“Unë e kisha të vetmin djalë, ai u nis me 6 mars për master, me fillimin e pandemisë ai i ndërpreu si çdokund prandaj u izolua dhe mbeti i mbyllur. Aty afër nuk ka pasur asnjë të afërt dhe ishte shumë i mërzitur dhe donte me çdo kusht të kthehej në shtëpi. Unë nuk kisha mundësi të tjera dhe u drejtova te kryetari i komunës, Lutfi Haziri, që dua ta falënderoj atë dhe dua ta falënderoj ambasadorin Beqë Cufaj dhe Shaip Dobrën. Dua të shtoj që vdekja e djalit tim është vdekje politike. Këtë e them sepse Lutfi Haziri është në LDK, Cufaj në AAK dhe Dobra në PDK, këta e kanë kryer punën mirë”, tha Naim Musliu.

“Te kryetari (Lutfi) Haziri kam shkuar në zyrë, pastaj ai më ka kontaktuar mua me Beqë Cufajn i cili më ka thënë se rrethanat janë shumë të vështira per të kthyer djalin, momentalisht dhe nuk ka pasur transport tokësor ose ajror. Prandaj unë kam insistuar që meqenëse djali im dëshiron të kthehet vetëm për momentin”, tha ai.

“Beqë Cufaj ka shkuar në gjysmë të natës e ka marrë djalin kur i erdhi radha të kthehet me makinë dhe e ka dërguar deri në aeroport. Pastaj përmes telefonit më ka thënë se unë tash po largohem, djali u nis, dokumente ka pasur, këtë ua kam prezantuar edhe në aeroport”, shtoi ai.

“Dokumentin tjetër që e kam marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme i cili është lëshuar në bazë të dokumentit që Agoni e ka pasur me vete”, vazhdoi ai.

Musliu tha se në Aeroprt kishte folur me djalin e tij tashmë të ndjerë për të cilin tha se nuk ka pasur temperaturë.

“Djali më ka thënë se nuk është për karantinë, gjë që ua ka thënë edhe udhëtareve të tjerë. Fakt është që djali jem ka bë përpjekje të mos  shkojë në karantinë”, tha ai.