Autoriteti i Konkurrencës monitoron çmimet për teste të COVID-19, thotë se janë në nivel të konkurreshmërisë

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës  komunikoi sot raportin javor për çmimin e testeve për COVID-19 në laboratore private.

Valon Prestreshi, kryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës tha se janë 90 laboratore të licencuara, por jo të gjithë kanë filluar punën.

Prestreshi tha se  çmimet e testimeve  janë në nivel të konkurrencës dhe se është krijuar një grup i cili do bëjë raport javor për këtë proces.

“Nga autoriteti i Konkurrencës janë duke u analizuar të dhënat, sidomos në aspektin e çmimeve dhe ju njoftojmë se çmimet e  shërbimeve të analizave për teste serologjike dhe molekulare janë në nivel të konkurrenshmërisë, të ndryshme në qytete varësisht nga çmimi i furnizimit të materialeve. Tashmë janë krijuar grupet profesionale të punës dhe procedurat analizuese të AKK-së janë mjaft komplekse dhe siç edhe jeni paralajmëruar komisioni në baza javore do të mbajë opinionin publik të informuar për këtë proces,” ka shtuar Prestreshi.

Prestreshi theksoi se meqenëse çmimet për teste variojnë, qytetari mund të bëjë zgjedhje se ku e kryen testin.

“Shërbimet e këtyre testimeve, AKK i ka konsideruar si shërbime të interesit publik, edhe pse në një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë monitorimi i ndërmarrjeve në këtë formë mund të jetë jashtë punës sonë sepse monitorimi kaq i rreptë ndaj institucioneve private mund të jetë ushtrim i tepërt i shtetit”, tha ai.

Ai ka treguar se çmimet janë transparente sidomos për testet  serologjike që janë nga 15 deri 35 euro, kurse molekulare nga 65 deri 80 euro.

“Ky çmim bazohet në kualitetin e shërbimeve dhe koston e produkteve, nuk kemi ndonjë rregullator që cakton çmimin në këtë shërbim,” përfundoi Prestreshi.

Kujtojmë se tash e dy javë, Ministria e Shëndetësisë u ka dhënë lejen edhe disa laboratorëve privatë për të kryer teste për COVID-19, shërbim ky që paraprakisht ishte bërë vetëm nga institucionet shtetërore.