Credits: Reuters

Australia e hutuar pasi një objekt misterioz i paidentifikuar shfaqet në plazh

Policia është habitur nga një mjet misterioz “i paidentifikuar” që doli në sipërfaqe të një plazhi të Australisë Perëndimore.

Objekti gjigant metalik u gjet nga vendasit në plazhin “Green Head”, rreth 250 km (155 milje) në veri të Perthit.

Autoritetet shtetërore dhe federale po hetojnë mjetin, i cili aktualisht nuk besohet të jetë nga ndonjë avion komercial.

Ky mjet po trajtohet si i rrezikshëm dhe policia u ka kërkuar njerëzve të mbajnë distancë të sigurt.

“Duam të sigurojmë komunitetin se jemi aktivisht të angazhuar në përpjekje bashkëpunuese me agjenci të ndryshme shtetërore dhe federale për të përcaktuar origjinën dhe natyrën e objektit” – tha policia në një deklaratë.

Në hetim janë përfshirë ushtria dhe agjencia hapësinore e Australisë.

Banorët e plazhit “Green Head” thanë se cilindri ishte rreth 2.5 metra i gjerë dhe midis 2.5 dhe 3 metra i gjatë.

Eksperti i aviacionit Geoffrey Thomas tha se mjeti ishte ndoshta rezervuar karburanti nga ndonjë raketë që kishte rënë në Oqeanin Indian në 12 muajt e fundit.

Agjencia Australiane e Hapësirës tha se ishte e mundur që cilindri gjigant mund të kishte rënë nga ndonjë “automjet i huaj lëshues hapësinor” dhe ishte në plan të lidhej me agjenci të tjera ndërkombëtare.

Nëse është cilindër karburanti, ekspertët besojnë se mund të jetë nga ndonjë raketë indiane dhe mund të përmbajë materiale toksike.

Shpresohet se numri serik ose katalogu do të konfirmojë nëse është apo jo ky diçka i tillë.

Ka poashtu spekulime se cilindri mund të ketë qenë pjesë e MH370 –  avion që u zhduk në brigjet perëndimore të Australisë në vitin 2014 me 239 pasagjerë në bord – por Thomas tha se nuk kishte “shans”.

“Nuk është asnjë pjesë e Boeing 777 dhe fakti është se MH370 u zhduk nëntë vjet e gjysmë më parë, kështu që do ishte shumë më i ndikuar nga kripërat dhe mbeturinat”- tha ai./BBC

Përgatiti: Ardita Zeqiri